Arrestohet një shtetas çek në Kosovë

E publikuar: 05/12/2019 18:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas çek, ai i ishte në kërkim ndërkombëtar.

Në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës thuhet se shtetasi çek ishte i dënuar nga autoritetet e Çekisë me gjashtë vite burg për veprën penale “mashtrim”, transmeton Infosot.
“Në vazhdën e angazhimeve ligjore për parandalimin dhe luftimin e veprave penale përfshirë edhe luftimin e kriminalitetit që kalon kufijtë shtetëror, në veçanti identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që provojnë t’i ikin drejtësisë, përfshirë edhe drejtësinë ndërkombëtare, Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), po vepron me kompetencë dhe profesionalizëm duke dëshmuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet ndërkombëtare për zbatim të ligjit. Pas një bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente, sot me datë 05.12.2019, nga Policia e Kosovës, përmes njësitit për persona të arratisur (FAST Kosova) është arrestuar shtetasi Çek me iniciale M.J. (viti i lindjes 1965), i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar dhe Evropian, dhe i dënuar nga Autoritetet e Çekisë me gjashtë (6) vite, për vepër penale mashtrim”, thuhet në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës.

Tutje policia bën të ditur se me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje.