Arrestohet një serb, kërkohej nga Interpoli

E publikuar: 26/03/2015 18:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një serb nga Krushevci i Serbisë është arrestuar të enjten pasdite në Kçiq të Mitrovicës, ka njoftuar policia. Një serb 32-vjeçar, shtetas i Serbisë, me nofkën “Pexha”, i cili kërkohej nga Interpoli, dyshohet për trafik droge, vjedhje të rënda dhe krime të tjera të kryera në Serbi, por edhe në Kosovë.

Duke i ikur drejtësisë, 32-vjeçari, bashkë me gruan e tij ishte strehuar në veri të Mitrovicës, ku kishte blerë një banesë në rrugën “Sutjeska”. Gazeta ka mësuar, se 32-vjeçari nga Krushevci i Serbisë kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për shkak të dyshimit se është në krye të një grupi të madh trafikantësh për shitjen dhe shpërndarjen e drogës në Serbi, por edhe në vendet tjera. Gjithashtu ai kërkohej edhe për vepra të tjera kriminale.

Arrestimin e 32-vjeçarit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Sipas tij, njësitë policore të komunkacionit, gjatë një kontrolli rutinor në Kçiq të Madh të Mitrovicës kanë arrestuar një qytetar serb, sipas një fletarresti ndërkombërar.