Arrestohet një kosovar me tri dokumente të falsifikuara

E publikuar: 25/10/2016 07:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët e Policisë Federale të Gjermanisë kanë konfiskuar të premten në Mannheim tri dokumente tërësisht të falsifikuara te një shtetas kosovar të moshës 27 vjeçare.

Ai ishte kontrolluar rreth orës 17 në Stacionin Kryesor të trenave në këtë qytet, shkruan presseportal.de. Me këtë rast ai ka treguar një letërnjoftimi çeke. Pasi që policët konstatojnë se ajo ishte e falsifikuar, e marrin personin në fjalë me vete në stacionin policor.

Me kontrollimin e mëtejmë ata i gjejnë po ashtu edhe një patentë totalisht të falsifikuar kosovare shoferi, transmeton albinfo.ch. Ndërkaq, ai ka treguar edhe një leje tjetër patentshoferi kosovar, kësaj here të rregullt, por në emër të një personi tjetër.

Pas kontrollimit të shenjave të gishtërinjve, vërtetohet identiteti i personit nga Kosova, i cili po qëndronte në mënyrë ilegale në Gjermani që nga marsi i vitit 2015.

Pas marrëveshjes me prokurorinë, atij i është siguruar një përfaqësues juridik i autorizuar dhe i janë konfiskuar dokumentet.

Ndaj tij është iniciuar një procedurë penale për falsifikim dokumentesh dhe për shkelje të ligjit mbi qëndrimin e të huajve në Gjermani.