Arrestohet një 33 vjeçar për shmangie nga tatimi, dyshohet se dëmtoi buxhetin për 750 mijë euro

E publikuar: 15/11/2019 14:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nën dyshimet për shmangie nga tatimi. Bëhet fjalë për një 33 vjeçar me inicialet A.M, raporton Express.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se ai dyshohet për shmangie nga tatimi, duke e dëmtuar buxhetin në vlerë prej rreth 750 mijë euro.

“Pas analizimit të informatave nga hetuesit e DHKEK-së, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe në bashkëpunim me zyrtarët e ATK-së është vërtetuar se i dyshuari i lartcekur ka kryer veprën penale në periudhën kohore 2015-2016, duke dëmtuar në këtë mënyrë buxhetin e Kosovës prej 744,321.91 euro”, thuhet në komunikatë.

Policia bën me dije se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

“Sot, me 15 nëntor 2019, pas intervistimit të të dyshuarit të lartcekur, në konsultim dhe me urdhër të Prokurorisë Themelore Mitrovicë, të dyshuarit të lartcekur i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në komunikatën e Policisë drejtuar mediave.

Ndryshe, shmangia nga tatimi dënohet edhe me Nenin 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Kodit Penal, kushdo që me qëllim fsheh apo i shmanget pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, mund të dënohet me burg nga tri deri në 8 vjet burgim, varësisht nga shuma.