Arrestohet i dyshuari që theri me thikë asamblistin e LDK’së në Pejë

E publikuar: 29/02/2016 20:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, Milazim Shala, është therur me thikë sot rreth orës 12:10 në Pejë. Policia, pak çaste pas sulmit, ka arrestuar një të dyshuar për këtë rast.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, i cili ka treguar se personi i dyshimtë menjëherë pas therjes me thikë, fillimisht kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

“Viktima është dërguar në qendrën emergjente të spitalit rajonal të Pejës, pas goditjeve të marra në pjesën e stomakut. Pas operacionit të kryer në spital, është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Ibraj.

Ai ka theksuar se i dyshuari për këtë vepër është arrestuar pas pak çastesh dhe gjendet në mbajtje ku dhe pritet të zbulohen detajet e ngjarjes së sotme.

Sipas Ibrës kjo ngjarje nuk ka të bëjë me motive politike, por është e një motivi krejtësisht tjetër.

“I dyshuari është arrestuar pas pak çastesh dhe gjendet ne lokalet e mbajtjes ku do mbahet për të mësuar motivin dhe gjitha rrethanat që është ardhur deri te kjo ngjarje. Deri më tani sipas informacioneve që ne kemi nuk ka të bëjë me çështje politike por është një motiv krejt tjetër”, tha Ibra.  /Indeksonline/