Arrestohet i dyshuari ndaj të cilit vite më parë është lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar

E publikuar: 08/02/2019 14:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës (PK), në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë rast pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë të ILECU-t me autoritetet e disa shteteve, ka arritur ta identifikojë dhe njëherit të lokalizojë vendin ku qëndronte i dyshuari B. M. lindur me 1982  mashkull/shtetas i Kosovës, ndaj të cilit ishte lëshuar letër- rreshtimi ndërkombëtar.

                 I dyshuari B. M. ishte në kërkim nga autoritetet vendore që nga viti 2007, pasi i njëjti dyshohej se ishte i përfshirë vite më herët në rastin penal ‘ndihmesë në vrasje të rëndë’, dhe që nga viti 2006 ishte dënuar me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë, me 4 (katër) vite burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim në  vitin 2004.

   Ndërsa në vitin 2007 Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykim ka rritur dënimin nga 4 (katër) vite,  në 12 (dymbëdhjetë) vite burgim dhe njëkohësisht me aktvendim ka urdhëruar që i akuzuari të dërgohet në mbajtje të dënimit, mirëpo aktvendimi nuk ka arritur të ekzekutohet, pasi i njëjti dyshohej se ka qenë jashtë vendit.

Meqë personi i dyshuar dyshohej se ishte jashtë vendit kanë vazhduar procedurat e shpalljes së letër-rreshtimit ndërkombëtar dhe që nga ajo kohë i dyshuari ka qenë në kërkim  ndërkombëtar.

       Policia e Kosovës , përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU-t) dhe njësisë FAST Kosova, në disa shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës kanë bërë kërkimin e personit të dyshuar si dhe kanë verifikuar e  shkëmbyer informacione me interes të përbashkët, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personit të dyshuar.