Arrestohet arsimtari i dyshuar për abuzimin e 16-vjeçares

E publikuar: 07/02/2019 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar sot Shkëlzen Xhekajn, arsimtarin e dyshuar për keqpërdorim seksual të së miturës, 16-vjeçares nga Drenasi, A.G.

Përmes një njoftimi për media, Inspektoriati Policor ka njoftuar se Shkëlzen Xhekaj është ftuar për intervistimin nga Prokuroria e Shtetit.

“Në vazhdën e hetimeve të këtij rasti, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë në vazhdimësi veprime hetimore drejt ndriçimit të plotë të rastit. Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, sot është ftuar për intervistë edhe një i dyshuar tjetër për këtë rast ( me inicialet Sh. Xh – i cili nuk është zyrtar policor)”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK-ja ka njoftuar se pas intervistimit të këtij të dyshuari, “të njëjtit më vendim të prokurorit i është caktuar masën e ndalimit për 48 orë”.

“Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e IPK-së është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin (e paraparë në nenin 239 të Kodit Penal). Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast”, ka thënë Inspektoriati Policor i Kosovës.