Arrestohet 73 vjeçari i cili ngacmonte vajzat e Qendrës Studentore

E publikuar: 21/04/2015 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I moshuari prej disa kohësh ishte kthyer në një makth për disa prej studenteve në konviktet e “Qytetit Studenti” në Tiranë, është arrestuar gjatë ditës së diel nga Policia e Tiranës.

Sipas burimeve, në pranga ka rënë 74 vjeçari Selfo Danaj, i cili u kap në flagrancë duke kryer veprime të turpshme ndaj një studenteje. Mësohet se, i moshuari që kishte kohë që ishte kthyer në një shqetësim për studentet, është denoncuar në polici nga një studente e një prej godinave në Qytetin Studenti, e cila ka shprehur se përballej çdo ditë me veprimet perverse të të moshuarit, i cili kishte filluar t’i shpeshtonte veprimet e tij të turpshme prej një “ashiku” plak.

Një prej studenteve e cila ishte akomoduar në zonën e Qytetit Studentit në Tiranë, për të ndjekur universitetin, ishte prej disa kohësh pre e ngacmimeve seksuale nga një 74-vjeçar. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në “Qytet Studenti”, përballë godinës 23, ku 74-vjeçari Selfo Danaj ka kryer veprime të turpshme ndaj shtetases me iniciale S.S.

I moshuari, banues në Tiranë, u denoncua nga studentja 22 vjeçare e cila është shprehur se bezdisej prej kohësh nga Danaj, dhe se përballej çdo ditë me veprimet perverse të 74-vjeçarit para dritares së saj.

Gjithashtu, sipas burimeve bëhet me dije, se i moshuari e kishte rutinë të përditshme, që në ambientet e disa prej godinave të Qytetit Studenti, të kryente ngacmime seksuale edhe ndaj vajzave të tjera. Po ashtu, ky nuk është rasti i parë që të rejat e akomoduara në konviktet e “Qyteti Studenti” bëhen objekt sulmi nga maniakë seksual.
Pas denoncimit që studentja 22 vjeçare bëri në Policinë e Tiranës, 74 vjeçari u kap në flagrancë nga blutë e kryeqytetit. Mësohet se Danaj është arrestuar duke mos e ditur se vajza kishte lajmëruar policinë. Ndërkohë, sipas policisë, 74-vjeçari do të përballet me akuzën e veprimeve të turpshme, ndërkohë që po hetohet nëse aktet e tij kanë qenë të përsëritura edhe kohë më parë. (Gazeta Shqiptarja)