Arrestohen dy persona në Mitrovicë, njëri i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit

E publikuar: 16/10/2019 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I arrestuari Basara dyshohet për keqpërdorim të detyrës në lidhje me hetimet rreth vrasjes së Ivanoviqit

Hetuesi i PK-së i arrestuar Rade Basara po hetohet nga PSRK për keqpërdorim të detyrës zyrtare që lidhet me hetimet dhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Pos kësaj, ai po dyshohet edhe për krim të organizuar, ka konfirmuar për KTV-në prokurori i rastit Sylë Hoxha.

Për veprat e njëjta po kërkohet edhe Zhelko Bojiq. Djali i tij i arrestuar, Vasilje Bojiq po hetohet për armëmbajtje pa leje.

Prokurori Hoxha ka konfirmuar se ka nisur marrjen në pyetje të Basaras.

“Ia kemi caktu një avokat sipas detyrës zyrtare sepse ka thënë se nuk ka kushte financiare ta angazhoj një”, ka thënë Hoxha.

Oliver Ivanoviqi u vra më 16 janar të 2018-s në një atentat herët në mëngjes para selisë së partisë së tij.

Milan Radoiçiq, të cilin vet Ivanoviqi pak para se të vritej e kishte quajtur ‘sundues të vërtetë dhe të errët të veriut’, është ende gjithashtu në kërkim si i dyshuar për këtë vrasje.

Ai është nënkryetar i Listes Serbe, e i cili ka mbështetje të vazhdueshme nga Beogradi dhe vet presidenti Aleksander Vuçiq.

Ai është parë në disa ngjarje të organizuara në Beograd e së fundmi u publikuan edhe foto të tij në një jaht vite më parë me ish-zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pos Pacollit, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kishte pranuar se ishte marrë vesh me Radoiçiqin për koalicionin me Listën Serbe më 2017, ani se atë kohë ai s’kishte asnjë pozitë në këtë parti.

Serbin Milan Radoiçiq të lidhur me krimin e organizuar në veri, Haradinaj më vonë e kishte takuar në Zyrën e tij në Qeveri të Kosovës.

07:37
Arrestohen dy persona në Mitrovicë, njëri i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit
Dy persona janë arrestuar në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës dhe një është në kërkim.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ka konfirmuar Policia e Kosovës për KTV-në, derisa një person është arrestuar sepse i janë gjetur armë dhe municion.

KTV merr vesh se njëri nga të arrestuarit ështe Rade Basara dhe personi tjetër në kërkim është Zhelko Bojiq.

I arrestuari tjetër i cili nuk ka qenë duke u kërkuar por u arrestua gjatë këtij aksioni është Vasilje Bojiq, djali i të kërkuarit Zhelko Bojiq.

Atij i është gjetur një armë dhe municion prandaj është arrestuar. Ai ka qenë në një nga pikat e kontrollit ku PK ka shkuar ta kërkoj babanë e tij Zejlko Bojic, shef i operatives në PK për komunat veriore.

Zëdhënësi i PK-së Baki Kelani ka konfirmuar se Rade Basara është zyrtar policor dhe gjithashtu personi që është në kërkim, Zhelko Bojiq është gjithashtu zyrtar policor.

Në aksionin që ka nisur rreth orës 5 të mëngjesit kanë marrë pjesë rreth 100 policë e forca të mëdha policore kanë qenë të stacionuar në veri.

Zhelko Bojic është shef i operatives në PK për Mitrovicë. Rade Basara është hetues.