Arrestimi i stomatologut kosovar në Serbi, familja s’ka ende asnjë informacion

E publikuar: 14/08/2018 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Familjarët e Ibrahim Matoshit ende nuk kanë informacione pse familjari i tyre u arrestua dje nga policia serbe derisa ishte duke u kthyer në Gjermani, pas pushimit që e kishte kaluar në Kosovë.
Mërgimtari nga Gjermania me profesion stomatolog, Ibrahim Matoshi, është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga ana e policisë serbe, në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Ibrahim Matoshi është nga Vërbica e Kmetocit.

Vëllai i Ibrahimit, Musliun, tha se ende nuk kanë marrë ndonjë informatë të saktë se për çfarë është arrestuar i vëllai.

“Ne familjarët nuk jemi në dijeni ende zyrtarisht se për çfarë është arrestuar. Jemi duke pritur për ndonjë informacion në të njëjtën kohë po merret edhe Ambasada e Gjermanisë në Beograd”, tha Musliu për kallxo.com.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar mbrëmjen e kaluar për arrestimin nga Policia serbe të mërgimtarit Ibrahim Matoshi nga Vërbica e Kmetocit te pika kufitare e Dheut të Bardhë.

“Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga shteti fqinj mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit”, ka thënë MPJ.