I arratisuri nga QKUK, ishte sekseri i drejtoreshës së Burgut të Dubravës, Zyrafete Imeraj

E publikuar: 30/09/2017 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I arratisuri nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Avni Osmani i cili po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, ishte sekseri i Zyrafete Imerajt, e cila aktualisht është ushtruese e detyrës së drejtoreshës së burgut.

Burime të “Indeksonline” brenda burgut bëjnë me dije se Osmani ka lidhje me drejtoreshën Imeraj dhe se ai ishte i priviligjuar nga udhëheqësa të pavilonëve tjerë, përfshirë edhe drejtorin e pavilonit 8, Agron Rexha.

Po të njëjtat burime thonë se Osmani ka futur brenda burgut telefona, ku vetëm vitin e kaluar i ishin zënë 17 të tillë.

Për këtë, burime të “Indeksonline” tregojnë se Osmanit i ka ndihmuar një person tjetër që tashmë është i arrestuar, si dhe udhëheqësi i sigurimit të burgut, Oliver Zeqiri.

Avni Osmanit i kishin mbetur edhe 17 vite burg për t`i mbajtur, por që i njëjti është arratisur mbrëmjen e djeshme nga QKUK.

Burime të “Indeksonline” kanë thënë se Osmani e shfrytëzonte pikërisht spitalin për t`i futur telefonat në Dubravë.

Kujtojmë se Osmani ishte dënuar me 30 vjet burgim për vrasje të rëndë të vitit 2004.