Arratisja nga liria pozitive

E publikuar: 18/04/2020 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruar nga Fadil Sahiti

Kushtet e jetës së izoluar – në karantinë, siç po e quajmë këtë kohë të pandemisë së koronavirusit – kanë krijuar mundësinë për të medituar dhe reflektuar për shumë aspekte të jetës sonë individuale dhe shoqërore. Jemi të sforcuar ta bëjmë këtë. Por, të merresh me punët jashtë kompetencës profesionale, duket marrëzi, nonsense. Jam i vetëdijshëm për këtë! Unë vetë ‘shkarravis’ për temat jashtë fushës sime profesionale. Të jem i sinqertë, kur marr e shkruaj rreth problemeve për të cilat s’kam kredenciale, më mbërthen ndjenja e dyshimit, por e bëj këtë sepse më bën të iki nga realiteti, dhe nga vetja ime.

Po të isha plotësisht racional, ‘i lirë’, fokusi im do duhej të ishte tek përfundimi i një projekti profesional që e kam nisur më herët, që lidhet me analizën e kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të firmave prodhuese në Kosovë. Por, kam kuptuar se këtë nuk e bëj dot, tani. Në kushtet kur diskursi ditor mbizotërohet nga fjalët ‘virus’, ‘infektim’, ‘pandemi’, ‘rri n’shpi‘, ‘izolim’, ‘vdekje’ etj., sikur tretet pasioni dhe dëshira për të bërë punë profesionale. Pra, me vetëdije kam hequr dorë nga liria ime pozitive!

Filozofi Isaiah Berlin thoshte se ‘nëma (mallkimi) më e madhe për individin është kur deprivohesh, apo heq dorë nga liria jote’.

Për cilën liri e kishte fjalën filozofi?

Ekziston një liri që ai e quante ‘liri negative’ e që lidhej me kufizimet e jashtme fizike të njeriut. Por, sipas tij, kufizimi i lirisë nuk vjen vetëm nga faktorët e jashtëm, por edhe nga faktorët e brendshëm. Kufizimin nga brenda ai e shpjegon me konceptin e ‘lirisë pozitive’.

Kuptimi ‘pozitiv’ i fjalës ‘liri’ buron nga vullneti dhe dëshira jonë si individë, për të qenë të zotët e vetvetes sonë. Buron nga kapaciteti dhe aftësia jonë për të luftuar veset brenda vetes, elementet irracionale që secili i kemi. Kur i eliminojmë, ose së paku i kontrollojmë veset, qëllimet irracionale, tek atëherë jemi të lirë; atëherë kur ne i marrim vendimet, pa u shtyrë nga forcat e jashtme (veset), tek atëherë jemi zotët e qëllimeve tona, pra të vetes sonë.

Kur fitojmë mbi forcat e brendshme irracionale, refuzojmë të bëhemi instrument i tjetërkujt; bëhemi subjekt, jo objekt; bëhemi ‘dikushi’, nuk mbetemi ‘askushi’; bëhemi ‘bërës’ të vetes sonë, nuk mbetemi ‘send’, ose kafshë, ose skllav i paaftë për të luajtur një rol njerëzor në jetë.

Mesazhe të ngjashme, mbi peshën e anës racionale të njeriut, i janë dërguar njerëzimit qysh nga Sokrati i madh, nga Platoni, Aristoteli, pastaj nga Hobbes, Locke, Kant, Russell, Popper, Berlin e shumë të tjerë. Por, sipas Berlinit, fondamenti i lirisë pozitive lidhet me vetëdijen tonë se ‘nuk jam skllav i askujt; jam zot i vetes time; së këndejmi fati i jetës sime varet nga unë e jo nga vullneti i dikujt tjetër’.

Ne ndjehemi të lirë për aq sa besojmë se kjo është e vërtetë, dhe të skllavëruar për aq sa besojmë se kjo nuk është kështu…