Arratisja nga burgu i Drenovës, Prokuroria kërkon 135 vite burg

E publikuar: 14/04/2015 10:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Korçës ka kërkuar 135 vite burg, për shtatë të arratisurit nga burgu i Drenovës. Në seancën e zhvilluar paraditen e sotme, Prokuroria kërkoi në Gjykatën e Korçës dënimet për Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Artur Gora, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lila, duke deklaruar se kanë vepruar si grup kriminal.

Sipas organit të akuzës plani i arratisë së ndodhur në nëntor të vitit 2013 ka qenë i mirëmenduar. -Admir Tafili, 38 vjeç, lindur e banues në Shkodër, është dënuar me burgim të përjetshëm për plagosjen e ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, Prelë Pjetrushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001 dhe për vrasjen e dy vëllezërve të oficerit të policisë, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, në mars të vitit 2012.

Admir Tafili është vëllai i Genc Tafilit, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje për të cilën ka qenë i dyshuar edhe vetë 38-vjeçari. Admir Tafili ndodhej në burg që nga korriku i vitit 2002, kur policia mundi ta arrestonte atë të plagosur. Në mars të vitit 2012, pas një leje të dyshimtë që i dhanë për të dalë nga burgu i Shënkollit në Lezhë, për të cilën u arrestuan dhjetë zyrtarë të këtij burgu, ai u arratis nga shtëpia e tij dhe vrau vëllezërit e ish-shefit të krimeve.

Pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër, forcat speciale RENEA arritën ta arrestonin në një lokal në Tiranë. Pas arrestimit në muajin prill të vitit 2012, Tafili u dërgua në burgun e Fushë-Krujës, ku është njohur me Fran Marashin. Dy të dënuarit u transferuan në burgun e Drenovës, nga ku mundën të arratisen sërish. Shpeshherë, Tafili kishte deklaruar nga burgu se duan t’i vrasin familjen, duke dhënë një paralajmërim për arratisjen e tij.

Madje, ai ka pasur disa konflikte dhe ankesa gjatë qëndrimit të tij në burgun e Fushë-Krujës -Fran Marashi, 35 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore, ku ka vrarë katër policë, një qytetar dhe ka plagosur dy efektivë të tjerë. Fran Marashi, që mendohet të jetë organizatori i planit, bashkë me Admir Tafilin dhe Gëzim Gurin, ka mundur të arratiset edhe në vitin 2008 nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel. Në atë kohë, së bashku me anëtarin tjetër të bandës së Urës Vajgurore, Prengë Lleshi, ata arritën të largoheshin nga dritarja e magazinës së ushqimeve. Por liria e tyre zgjati veçse dhjetë orë, pasi u arrestuan në një fshat, disa kilometra larg qytetit. Arratisja e tyre u shoqërua me shkarkimin e drejtuesve të burgut dhe personelit të turnit.

Marashi i njohur si anëtar i bandës së Urës Vajgurore, është ekstraduar nga Italia në vitin 2006. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e policëve si dhe për krijim, organizim dhe drejtim të organizatës kriminale dhe kryerje të veprave nga organizata kriminale. Këtyre veprave penale i është shtuar edhe largimi nga vendi i dënimit.

Ndërkaq, në shtator të vitit 2011, ai tentoi arratisjen e dytë, këtë herë, nga burgu i Fushë-Krujës. – Eduart Kujtim Lulo, 28 vjeç, lindur e banues në Petran të Përmetit, është dënuar me 25 vite burg për “vjedhje me pasojë vdekjen”, “plagosje të lehtë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai është arrestuar në vitin 2004 dhe është dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2005. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2004, kur Lulo kishte pak ditë që kishte mbushur 18 vjeç. Ai së bashku me Gentjan Dajlanin kishin planifikuar grabitjen në banesën e një të njohuri të tyre. I pandehuri Gentjan Dajlani ishte në klasë me djalin e dytë të familjes Kici Nikolla.

Në banesë, dy grabitësit janë përleshur me familjen, kështu që Lulo ka përdorur armën. Nga shkrepjet e automatikut, Eduart Lulo vrau djalin e madh të kësaj familjeje, Paulin Nikollën, 21 vjeç. I pandehuri ka rrëfyer para gjykatës momentet pas ngjarjes së 8 shkurtit 2004. -Gëzim Gjergj Guri, 36 vjeç, lindur e banues në Vaun e Dejës në Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese. Ai është akuzuar bashkë me shokun e tij Prel Vuçaj se kanë kryer një vrasje në ambientet e burgut të Burrelit, ku Guri vuante dënimin për një tjetër vepër penale. Ngjarja ka ndodhur më 20 mars të vitit 2002, ku është vrarë 37-vjeçari Fetah Kaçani, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burg për një vrasje. Dy të burgosur të këtij burgu, Qemal Hani dhe Gëzim Guri janë grindur me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe mjete të forta. Në konflikt ka ndërhyrë edhe Prel Vuçaj.

Nga kjo grindje ka mbetur i plagosur Qemal Hani. Viktima Fetah Kaçani mendohet se është futur në mes të tyre për t’i ndarë, por ka gjetur vdekjen. Për këtë arsye, Guri nuk e ka pranuar kurrë akuzën, duke kërkuar deri në Gjykatën e Lartë ndryshimin e akuzës, megjithëse nuk është arritur diçka e tillë. Në vitin 2011, Guri bashkë me Vuçajn me Fran Marashin tentuan arratisjen nga burgu i Fushë-Krujës. -Reis Namik Haxhiraj, 42 vjeç, nga Selenica e Vlorës rezulton i dënuar me 13 vite burg për pengmarrjen e një polici dhe plagosjen e vëllait të tij, ndërsa kohët e fundit është dënuar edhe për tentativën e vrasjes së punonjësve të policisë gjatë aksionit për arrestimin e tij. Arrestimi i tij është bërë në një operacion në mars të vitit 2011.

Reis Haxhiraj e kishte kryer veprën penale në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha, edhe ky i fundit i arrestuar nga policia. Të tre këtë persona, në vitin 1998 në vendin e quajtur Izvor, të armatosur dhe të maskuar kanë rrëmbyer inspektorin e policisë, Yzedin Gucaj, si dhe kanë plagosur vëllain e tij, Dhimitër Gucaj. Por nuk ka qenë normal as arrestimi i tij, sikundër edhe raporti që kishte me drejtësinë, ai iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri forcave të policisë, por falë punës së specializuar të tyre, është kapur me armë në dorë. Në cilësinë e provës materiale, efektivat e policisë sekuestruan një armë zjarri tip automatik model 56, kallashnikov, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh.

Mësohet se i shumëkërkuari Reis Haxhiraj që nga koha kur kishte kryer rrëmbimin e deri në momentin e arrestimit, i fshihej drejtësisë në shtetin fqinj, Greqi. -Artur Demir Gora, 44 vjeç, lindur e banues në Pojan të Korçës rezulton i arrestuar në vitin 2000 dhe i dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2001 me burgim të përjetshëm, për “vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtje pa leje”. -Gëzim Toma, 31 vjeç, rezulton një ndër të dënuarit e fundit për vrasje me dashje. Ai është dënuar për vrasjen e Fatos Daxhës, 25 vjeç, në Krastë të Martaneshit. Sipas të dhënave, Toma ka akuzuar fqinjin e tij, Daxha, se i kishte vjedhur drutë e zjarrit që ai kishte sistemuar në oborrin e pallatit. 25-vjeçari Daxha nuk e ka pranuar akuzën dhe i është lutur disa herë fqinjit ta linte të qetë në hallin e tij.

Megjithëse reagimi i Daxhës ka qenë mjaft i butë, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë parë momentet e tmerrit. Gëzim Toma ka lënë sheshin para pallatit dhe është ngjitur në shtëpinë e tij, duke dalë prej andej me një thikë të madhe në dorë. Personat që kanë parë ngjarjen nuk kanë guxuar të ndërhyjnë për të ndalur krimin, pasi sipas tyre Toma ishte shumë i xhindosur dhe i është vërsulur komshiut, duke e goditur me thikë disa herë në trup. Toma kishte pak kohë që ishte transferuar në burgun e Drenovës dhe duket se ishte miqësuar me grupin e shkodranëve, me të cilët ka planifikuar arratisjen.