Armëpushimi në Afganistan

E publikuar: 09/06/2018 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Talibani njoftoi të shtunën se do të ndalojë operacione sulmuese kundër forcave qeveritare të sigurisë në Afganistan gjatë tre ditëve të festimeve të Fitër Bajramit, ditë të cilat shënojnë fundin e muajit të agjërimit të myslimanëve gjatë Ramazanit.

Armëpushimi përkon me ndalimin e njëanshëm një javor të operacioneve anti-talebane të njoftuara nga presidenti afgan Ashraf Ghani duke filluar nga 12 qershori.

Një deklaratë e kryengritësve tha se udhëheqja e talebanëve ka urdhëruar gjithashtu luftëtarët e tyre që të mos mbajnë takime në zonat civile gjatë periudhës së festave për t’i mundësuar bashkatdhetarëve të tyre festime të qeta. Por në deklaratë shprehet zotimi se sulmet ndaj trupave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë.

Kjo do të jetë hera e parë që nga viti 2002 që kryengritja islamike do të ndërpresë sulmet në Afganistan, ku aktualisht kontrollon ose konkurron për gati gjysmën e 407 distrikteve afgane.

Një zëdhënës presidencial tha se qeveria do të mirëpriste çdo hap nga talebanët që mund të pakësojë gjakderdhjen në vend.

Presidenti afgan Ashraf Ghani njoftoi të enjten se forcat afgane do të ndalojnë operacione sulmuese kundër talebanëve nga 12 deri më 20 qershor për të inkurajuar kryengritësit që të vijnë në tryezë për bisedime për të punuar drejt një zgjidhjeje të konfliktit 17-vjeçar.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se trupat e tyre në Afganistan do të nderojnë armëpushimin por nuk do të ndërpresin operacionet kundër Shtetit Islamik dhe organizatave të tjera terroriste.

Uashingtoni konfirmoi të enjten se i ka kërkuar Pakistanit të ndihmojë në arritjen e një procesi paqeje dhe pajtimi në Afganistan, duke bindur talebanët për t’u angazhuar në bisedime me Kabulin.