Armenia në krizë, protestuesit bllokojnë rrugët

E publikuar: 02/05/2018 12:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mijëra njerëz në Armeni iu përgjigjen thirrjes së udhëheqësit të opozitës, Nikol Pashinian, për grevë të përgjithshme.

Ata bllokuan një autostradë të madhe që lidh kryeqytetin Jerevan me aeroportin e tij dhe rrugë të tjera.

Thirrja për grevë u bë pasi Parlamenti armen votoi kundër zgjedhjes së Pashinianit kryeministër, më 1 maj.

Forca të sigurisë u vendosën po ashtu në zonën e Aeroportit Zvartnots.

Gjetkë në Jerevan, grupe të studentëve dolën në rrugë, disa prej të cilëve duke u bërë thirrje edhe kolegëve në kampuse që t’iu bashkohen.

Pashinian, duke marshuar me një grup të madh njerëzish në Jerevan, u bëri thirrje mbështetësve që të lejojnë kalimin e automjeteve të emergjencës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Jo përleshje, jo agresion. Të gjithë e dimë se ky proces do të përfundojë me fitore de jure. Të gjitha veprimet tona duhet të jenë paqësore”, tha Pashinian në një transmetim të drejtpërdrejtë në faqen e tij në Facebook.

Ai po ashtu kërkoi nga protestuesit që të mos i bllokojnë rrugët për furnizimin e ushtrisë dhe dy rrugët strategjike që lidhin Armeninë me Nagorno Karabakun.

Më 1 maj, ligjvënësit armenë votuan kundër zgjedhjes së Pashinianit kryeministër, me 55 vota kundër dhe 45 për.

Sipas Kushtetutës së Armenisë, dështimi i Parlamentit për të konfirmuar kryeministrin çon në votimin e dytë, që në këtë rast do të mbahet më 8 maj.

Në përgjigje të votimit më 1 maj, Pashinian u bëri thirrje qytetarëve në gjithë vendin që t’i bashkohen grevës së përgjithshme të mërkurën, në mbështetje të kërkesës së opozitës që ai të zgjidhet kryeministër.

Duke folur para mijëra mbështetësve që u mblodhën të martën në Sheshin e Republikës në Jerevan, Pashinian tha se të gjithë punëtorët duhet të ndalojnë të shkojnë në punë dhe të gjithë studentët të mos i ndjekin orët, nisur nga 2 maji.

Ai po ashtu u bëri thirrje protestuesve të vazhdojnë “aktet paqësore të mosbindjes civile”, përfshirë bllokimin e të gjitha rrugëve dhe autostradave, si dhe mbylljen e hekurudhave dhe të aeroporteve.

Në fjalimin e tij përpara Kuvendit, Pashinian tha se Partia Republikane, që aktualisht është në pushtet, e ka shkatërruar veten në mënyrë të pakthyeshme, “duke shpallur luftë kundër popullit të vet dhe duke refuzuar ta mbështesë kandidaturën e tij”.

Nëse Parlamenti nuk arrin as më 8 maj të konfirmojë kryeministrin, legjislatura do të shpërbëhet automatikisht dhe do të caktohen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, ndërsa një qeveri teknike, e udhëhequr nga Partia Republikane, do të jetë përgjegjëse për procesin zgjedhor.

Pashinian këmbëngul se vetëm një qeveri e përkohshme e udhëhequr nga, siç thotë, “kandidati i popullit”, pra ai vetë, mund të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente.

Pashinian ka udhëhequr protesta për ditë të tëra, duke detyruar kryeministrin Serzh Sarkisian të japë dorëheqje.

Të martën, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje të gjitha forcave politike në Armeni që “të angazhohen në dialog gjithëpërfshirës përpara rrethit të dytë të votimit më 8 maj”.

Mogherini tha se Bashkimi Evropian e mbështet Armeninë në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të begatë dhe demokratike”.

Përgatiti: Valona Tela