Armata e Maqedonisë shënon përvjetorin në pritje të anëtarësimit në NATO

E publikuar: 18/08/2018 10:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë shprehen të bindur se anëtarësimi i vendit në NATO, është proces i pakthyeshëm dhe se pas zbatimit të plotë të marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, vendi përmbush të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë politiko-ushtarake.

Vlerësimet e këtilla janë dhënë me rastin e 18 Gushtit, Ditës së Armatës së Maqedonisë, që është shënuar me aktivitete të shumta, përfshirë edhe stërvitjen e përbashkët në poligonin Krivollak me një kontingjent të ushtrisë amerikane.

“Republika e Maqedonisë, nga një shtet problematik dhe i izoluar, sot është partnere e besueshme, partnere e NATO-s, e fqinjëve dhe e aleatëve tanë… Jemi një hap pranë rrumbullakimit të procesit strategjik të anëtarësimit të vendit në NATO. Tani nuk guxojmë të ndalojmë”.

“Përfitimet nga anëtarësimi në këtë organizatë, përveç në mbrojtje dhe armatë, do të ndihen edhe në sferën e ekonomisë. Kjo vërehet edhe nga përvojat e shteteve fqinje, si Shqipëria, Mali i Zi, Bullgaria. Kemi shansin të kemi një shtet me perspektivë dhe të pranuar gjithandej, këtë mundësi nuk duhet ta lëshojmë”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në një manifestim për Ditën e Armatës.

Ajo ka thënë se me vendimet e ardhshme që duhet të miratohen, duke aluduar në procedurat për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, nuk do të kontestohet identiteti, gjuha e kultura maqedonase, porse vendi do të bëhet pjesë e familjes së shteteve që tashmë janë rreshtuar pranë aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Risto Nikovski, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO dhe njohës i rrethanave politike, thotë se interesi i Aleancës është që vendi të bëhet pjesë e kësaj organizate, para së gjithash për qëllime strategjike, por kur kjo tentohet të bëhet nëpërmjet ndryshimit të emrit, atëherë, sipas tij, nuk mund të pritet edhe ndonjë stabilitet i theksuar.

“Aktivitetet e theksuara të NATO-s në Maqedoni nxjerrin në pah dëshirën, apo interesin e Aleancës që Maqedonia sa më shpejt të bëhet anëtare e saj. Kjo më shumë dëshirohet nga Brukseli për të pamundësuar rritjen e ndikimit rus në Ballkan. Kjo është njëra ana e medaljes, por ana tjetër e saj nuk mendoj se do të sjellë paqe dhe stabilitet pasi kjo tentohet të arrihet duke zbatuar marrëveshjen me Greqinë, me të cilën Maqedonia kapitullon”.

“Ajo heq dorë nga maqedonizmi, si karakteristikë thelbësore e popullit. Të gjitha përpjekjet kanë për qëllim që të ketë sukses referendumi, të ndryshohet emri kushtetues dhe të krijohet një situatë e re gjeopolitike, e cila besoj se nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet, pasi shuarja e një populli nuk mund të përfundojë pa implikime”, vlerëson Nikovski.

Por, Mersel Bilalli, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO krijon stabilitet, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin në përgjithësi, andaj edhe sipas tij, sa më parë duhet të përfundojë procesi i anëtarësimit të vendit në këtë organizatë.

Armata e Maqedonisë numëron rreth 9 mijë ushtarë aktivë dhe bazuar në të dhënat e fundit, rreth 22 për qind e tyre janë shqiptarë dhe të bashkësive tjera etnike. Megjithatë, përqindja e shqiptarëve në strukturat komanduese është thuajse shpërfillëse, apo vetëm me rreth 1 për qind. Përqindje tejet e dobët është edhe në njësitet speciale të ushtrisë, madje në disa prej tyre nuk ka edhe një shqiptar.

Mersel Bilalli, i cili është edhe këshilltar i Jashtëm i kryeministrit Zoran Zaev, thotë se përfaqësimi i shqiptarëve në strukturat e armatës duhet të jetë në përputhje me përqindjen e shqiptarëve në shtet.

“Fundja ky është edhe obligim kushtetues i përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në të gjitha sferat dhe nivelit në shoqëri. Kemi ngecje akoma në aspektin komandues në armatë, por vlerësoj se edhe ky dallim duhet të eliminuar në procesin në vijim”, thotë Bilalli.