Arbëreshët, “siçilianët” që mbështesin Shqipërinë (Video)

E publikuar: 23/03/2017 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur të zbresin në fushën e Palermos për t’u përballur me Italinë, “Kuqezinjtë” nuk do të kenë mbështetjen vetëm të tifozëve shqiptarë që kanë udhëtuar nga Tirana dhe vende të tjera, apo të atyre shqiptarëve që jetojnë e punojnë përtej Adriatikut.

Në shkallët e stadiumit do të ndihet jo pak edhe mbështetja e arbëreshëve, që në Siçili nuk janë të paktë.

Piana degli Albanesi është një zonë ku banon një komunitet i tyre dhe pikërisht ky vend ishte në objektivin e një reportazhi të realizuar nga Rai Sport.

Në aspektin futbollistik, thotë Rai Sport, kjo qytezë do të jetë kryeqendra e paradoksit të madh, pasi banorët e saj do të jenë në një dilemë të madhe, të mbështesin Shqipërinë, apo të mbështesin Italinë?

Për shumë prej tyre dilema ndoshta do të zgjasë edhe pas përfundimit të ndeshjes, por ka të tjerë që e kanë të vendosur që para takimit të së premtes.

“Andej kemi origjinën. Jemi shqiptarët dhe do të mbështesim Shqipërinë”, thonë disa të moshuar.

“Unë do t’u bashkohem tifozëve të Shqipërisë, quhen Tifozët Kuqezi”, thotë një i ri, që veshur mban bluzën me shqiponjën dykrenare të stampuar në të.

Atmosfera bëhet akoma më festive dhe mbështetja për Shqipërinë e këtij komuniteti arbëreshësh edhe më e madhe me kalimin e orëve. Nëpër ballkonet e shtëpive sheh flamuj kuqezinj që shtohen vazhdimisht dhe të gjithë janë gati të festojnë…pavarësisht rezultatit të takimit.