Arben Bajo nesër hapë ekspozitë në FAB Gallery në Tiranë

E publikuar: 08/03/2015 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Venusi shënon formën e parë skulptorike në historinë e artit, si për të diktuar udhën nga duhej të cekte çdo skulptor. Bajo nuk bën përjashtim nga ky rregull i pashkruar. Në formë konstante ai ofron përgjatë gjithë karrierës së tij versionin e vet të figurës femërore.

Artisti Arben Bajo nesër, me datë 9 mars, hap ekspozitën personale “Skulpturë” në Galerinë FAB, në Universitin e Arteve në Tiranë.
Kur ndryshon skulptura, ndryshon shoqëria… kështu thotë një shprehje e re, a e vjetër. Por gjithnjë më e rrallë në numër, krahasuar me mediumet simotra, skulptura pasqyron me vështirësi zig zaget estetike të periudhës që propozon, aq sa në momente të caktuara ajo pothuajse mungon. Në artin vendas një shembull i tillë pasqyrohet në periudhën e Liberalizimit, (vitet ’69-’73 të shek. XX), periudhë e shkurtër vërtet, por që “infektoi” dhjetra artistë shqiptar, me huazime stilistike postimpresioniste, ekspresioniste, a kubiste. Në skulpturën e kohës, kjo frymë për mos të thënë që nuk u pasqyrua kurrkund, mund të rezervohet në dëshirat, apo “kapriçot” e fshehura (në raste dhe thyera) në studiot e artistëve.

Në ato vite të trishta skulptorët ashtu si kolegët e tyre piktorë, shkrimtarë, a regjisorë u përshtatën kokëulur me statusquonë shtetërore, për të konkluduar në një produkt të shumtë në numër, (monumente, shtatore a lapidarë) në zgjidhje herë formale/glorifikuese, e herë thjesht monumentale/triumfuese.

Dhe kur këmbanat ranë dhe për errësirën totalitare, në atelietë e Akademisë së Arteve po guxohej… përtej, sërisht. Era e ndryshimit kish filluar të frynte fort pa frikën e raprezaljeve, ndërsa studentët po propozonin me forcë instiktive një gjuhë të re plastike. Dëshmi fotografike të kësaj eksperience, ish student i atyre viteve, Arben Bajo ripropozon në ekspozitën e tij të shtatë personale. Të ngritura përballë krijimtarisë së tij të viteve të fundit, ato krijojnë një urë kohore kuptimplotë, ndërsa metamorfoza fizike e trupave “akademik”, shkon shumë përtej realizmit standard të atelieve të skulpturës të vetëm pak viteve më parë.

Venusi shënon formën e parë skulptorike në historinë e artit, si për të diktuar udhën nga duhej të cekte çdo skulptor. Bajo nuk bën përjashtim nga ky rregull i pashkruar. Në formë konstante ai ofron përgjatë gjithë karrierës së tij versionin e vet të figurës femërore. Ato ndërthuren me raftet, natyrat e qeta apo kuajt, në shumë versione, herë teksa lartohen të heshtura dhe elegante, herë teksa ngjiten në poza sensuale mbi mur, e herë të tjera ndërsa dremisin mbi pode. Të stërgjata dhe elegante, me tis lakonik, por tejet sensuale, ato “pushojnë” në vetminë e tyre të pavëmendëshme ndaj syrit kurioz. / KultPlus.com