Apple zbulon kompjuterin e ri tabletë, iPad Pro

E publikuar: 10/09/2015 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Apple zbuloi përpara konsumatorëve kompjuterin e ri tabletë, iPad Pro, më i madhi deri tani, i cili do të ketë edhe një tastierë inteligjente si dhe një “Laps” të ri Apple.

Kreu Ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, demonstroi iPad-in e ri përpara mediave në San Francisco, duke thënë se ky është “lajmi më i rëndësishëm për iPad-in që kur ai doli në dritë për herë të parë”, shkruan VOA.

IPad Pro, që do të hidhet në treg në nëntor, do të ketë një çmim që fillon nga 799 dollarë. Procesori i tij do të jetë më i shpejtë se 80 për qind e kompjuterave portativë të shitur vitin e kaluar, tha Phil Schiller, nënpresident i kompanisë.

Kompania ka bashkëpunuar me Cisco Systems dhe IBM për të ndërtuar baterinë e iPad Pro, që do të ketë një jetë prej 10 orësh. Ekrani i tij do të jetë 32.7 cm në krahasim me 24.6 centimetra që është iPadi i tanishëm standard.

Kompania zbuloi edhe brezin më të ri të iPhonave, 6S dhe 6S Plus, të cilët përgjithësisht do të kenë të njëjtat përmasa sa edhe versioni i fundit, si edhe një TV të ri Apple, që do të jetë më i fuqishëm se sa versionet e mëparshëm.