Apple humbet një ekzekutiv shumë të rëndësishëm

E publikuar: 31/03/2019 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekzekutivi i arkitekturës së platformave Gerard Williams pranë Apple u largua nga kompania pas nëntë vitesh pranë gjigandit të iPhone.

Arsyeja pse ky lajm është i bujshëm qëndron pikërisht tek kontributi që ky ekzekutiv i lartë i kompanisë ka dhënë.

Ai mbante një pozicion të rëndësishëm, atë ekipit të dizajnit të procesorëve dhe komponentëve që përdoren nëpër telefonët, tabletët dhe aksesorët e Apple.

Ishte Gerard Williams që udhëhoqi prodhimin e të gjithë procesorëve Apple nga modeli A7 i cili u shfaq tek iPhone 5S deri tek Apple A12X që gjendet në tabletët më të fundit profesionalë të kompanisë.

A7 ishte procesori i parë 64-bit që shfaqej në një pajisje mobile. Debutimi në iPhone 5S detyroi Qualcomm të prodhonte një procesor 64-bit gjithashtu dhe nuk u shpëtoi problemeve.

Përveç udhëheqjes së departamentit të dizajnit të procesorëve, Gerard Williams gjithashtu kishte drejtimin e çipeve të sistemit të Apple. Me pak fjalë ishte ai që vendoste për dizajnet dhe prodhimin e komponentëve si procesorë, kartë grafike dhe memorie.

Arsyeja e largimit të tij mbetet e paqartë, madje as ai vetë nuk e ka komentuar në profilin e tij në Linkedin. Me shumë gjasa ai do të vijojë të jetë në ngarkim për gjeneratën e re të procesorëve të Apple për këtë vit e madje edhe procesorëve të parë prodhuar nga Apple për kompjuterët Mac.

Muajt e fundit ka pasur raportimet se gjigandi i Kupertinos ka në plan të zëvendësojë procesorët e Intel tek lapopët me çipet e tij. /PCWorld Albanian