Apple dhe Samsung gjobiten në Itali, akuzohen për ngadalësimin e qëllimshëm të smartfonëve të vjetër

E publikuar: 24/10/2018 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Apple dhe Samsung rrezikojnë të gjobiten 10 milion dhe 5 milion euro respektivisht në Itali pasi akuzohen se qëllimisht kanë ngadalësuar smartfonët e tyre.


Një hetim i nisur në Janar nga autoriteti Italian i konkurrencës zbuloi se disa përditësime softueri kanë pasur efekt negativ në performancën e telefonëve.

I pari në llojin e tij, ky hetim arriti në përfundimin se kompanitë kanë ngadalësuar modelet e vjetra për të inkurajuar blerjen e të rinjve.


Në deklaratën e autoriteteve Italiane thuhej: “Apple dhe Samsung kanë implementuar praktika komerciale të pandershme” dhe “përditësimet e softuerit kanë reduktuar performancën dhe nxitur zëvendësimin e tyre.”

Gjithashtu shtoi se Apple dhe Samsung nuk kanë njoftuar përdoruesit për impaktin e përditësimeve të reja të softuerit.

Konkretisht Samsung kishte dërguar një përditësim softueri në Galaxy Note 4 i dizajnuar për Note 7 duke i bërë modelet e vjetra të papërdorshëm.

Nga ana tjetër, Apple u ka kërkuar përdoruesve të iPhone 6 të instalojnë një version softueri për iPhone 7 sipas autoriteteve.

Apple u gjobit me 5 milion euro më shumë sepse nuk kishte dhënë informacion bazik për karakteristikat e baterive lithium-ion.

Në Dhjetor të vitit të kaluar Apple ka pranuar se qëllimisht kishte ngadalësuar performancën për shkak të degradimit të baterisë me kalimin e kohës.

Kompania kërkoi falje dhe ofroi zëvendësimin e baterive me kosto të reduktuar.

Një rast i ngjashëm po hetohet në Francë dhe autoritetet për mbrojtjen e konsumatorit kanë fuqi të ndëshkojnë me gjoba deri në 5% të të ardhurave vjetore të kompanive. /PCWorld Albanian