Apple dhe Google nën presion për të hequr aplikacionin e gjurmimit të femrave në Arabinë Saudite

E publikuar: 14/02/2019 22:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një aplikacion mobil nga Arabia me të cilin burrat mund të gjurmojnë dhe të kufizojnë lëvizjen e grave, është vënë në qendër të kritikave nga një senator Amerikan dhe grupet të drejtave të njeriut.

Këta të fundit kërkojnë nga Apple dhe Google heqjen e aplikacionit nga platformat e tyre duke akuzuar gjigantët e teknologjisë se po ndihmojnë në diskriminimin gjinor në Arabinë Saudite.

Ligjet Saudite u japin grave një status ligjor të ngjashëm me atë të një fëmije gjatë gjithë jetës së tyre. Çdo femër Saudite pavarësisht moshës ka një kujdestar mashkull, zakonisht babai ose bashkëshorti, e nganjëherë i vëllai apo i biri, të cilët duhet ti japin leje për të marrë pasaportën me vete; për të kryer vizitë tek mjeku apo për tu martuar.

Aplikacioni në fjalë quhet Absher dhe u lançua në 2015-ën nga qeveria Saudite. Meshkujt mund të menaxhojnë jetën e femrave sepse ligji u lejon diçka të tillë qoftë edhe përmes një aplikacioni.

Ata mund ti ndalojnë një femre të udhëtojë duke gjurmuar kartat e identitetit apo pasaportat. Meshkujt njoftohej përmes një mesazhi kurdo që një grua nën kujdesin e tyre kalon në një aeroport.

Apple dhe Google nën presion

Absher që në shqip përkthehet si “Po Zotëri” mund të shkarkohet nga Google Play Store dhe Apple App Store. Kritikët thonë se kompanitë teknologjike duhet të ndalojnë këtë dhunim të femrave në Arabinë Saudite.

Përpjekjet për të fshirë Absher nga platformat u mbështetën edhe nga senatori Demokrat Ron Wyden i cili ju ka dërguar një letër kompanive.

Drejtuar Tim Cook dhe Sundar Pichai, z. Wyden tha se kompanitë po e bënin më të lehtë për meshkujt Saudit të kontrollojnë jetën e anëtarëve të familjes.

Ai kërkoi prej tyre që kompanitë që drejtojnë të bllokojnë këtë praktikë në platformat e tyre.

Arabia Saudite është një prej ambienteve më të izoluara në botë për femrat. Megjithatë Princi i Kurorës Muhamed Bin Salman ka kërkuar të hiqen disa kufizime.

Mbretëria ka lehtësuar kufizimet e veshjes, lejuar femrat të punojnë, të përfitojnë edukim falas e madje i lejoi edhe të merrnin një leje-drejtim makine.

Por kritikët thonë se femra Saudite nuk ka për të qenë kurrë e lirë pa u hequr ligjet e kujdestarisë.

Aplikacioni në fakt ofron disa shërbime qeveritare dhe funksioni për gjurmimin e femrës është një prej shumë të tjerëve. Kritikët thonë se nëse aplikacioni hiqet nga Apple dhe Google, mund të rezultojë në një mesazh kyç për Princin Muhamed i cili ka kërkuar zgjerimin e partneritetit me firmat globale teknologjike si pjesë e strategjisë për ekspansion ekonomik.

Megjithatë heqja e aplikacionit nuk shfuqizon ligjet e kujdestarisë. Në të kaluarën Apple dhe Google u janë përgjigjur kërkesave të tilla.

Në Dhjetor Apple hoqi një aplikacion religjioz nga dyqani online i cili përshkruan homoseksualizmin si sëmundje dhe mëkat. /PCWorld Albanian