Apostolova: Çështja e Demarkacionit ndikoi në vonesën e liberalizimit të vizave

E publikuar: 14/03/2019 18:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka dhënë shpjegimet në lidhje me mosliberalizimin e vizave për kosovarët, tani që janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara ndaj shtetit tonë.

Sipas saj, tash vendimi i mbetet Këshillit Europian.

“Kosova i ka plotësuar kriteret. Liberalizimi kërkon kohë të gjatë. Këshilli është vendi ku duhet të votohet me 2/3. Po ashtu, çështje e rëndësishme është luftimi i krimit dhe ky do të jetë një proces që duhet ta mbajmë edhe pas liberalizimit, por nuk duhet të përdoren fjalë të rënda, si p.sh., ‘BE-ja s’e ka mbajtur premtimin‘”.

“Dua ta përmend një fakt: për vendet si Gjeorgjia dhe Ukraina që nga momenti kur i kanë plotësuar kushtet e deri në momentin kur është marrë vendimi pozitiv në Këshill kanë kaluar tre vjet. Nuk dua ta jap këtë shembull për Kosovën, jam e sigurt që me ndihmën e të gjithëve tash do të jetë një kohë më e shkurtër, por nuk ka afate të parashkruara kohore”.

“Çfarë është dashur të bëhet nga gjithë – është bërë dhe tash i ka ardhur koha Këshillit. E di që të gjithë jemi të zhgënjyer, sepse kemi pritur që shkon pak më shpejt, por e rëndësishme është që të mos ndalemi”.

“Kriteret e liberalizimit janë një proces dhe shumë prej tyre duhet të mirëmbahen edhe kur të bëheni pjesë e Shengenit. Nëse një ditë të kemi një mision të ri vlerësues, ose një kontroll, ose raport që duhet t’i ofrohet Këshillit, atëherë këto kritere duhet të respektohen në vazhdimësi. Të gjithë këto duhet të qëndrojnë në vijë”.

“Nuk do ta thosha se kosovarët janë ndëshkuar, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha 95 kushtet që janë në udhërrëfyesin tuaj për liberalizim. BE-ja ka procedura shumë të ndërlikuara”.

“Nëse çështja e Demarkacionit do të ishte kaluar në një kohë më të shpejtë, ndoshta atëherë për shkak të situatës politike dhe për shkak të faktit se nuk ishin aq shumë afër zgjedhjet europiane si tash, ndoshta ky vendim do të merrej më shpejt”.

“Nuk është vendim politik, por procedural”, ka deklaruar Apostolova në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.