Me apo pa institucione javën tjetër?

E publikuar: 18/08/2017 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analistët politikë kërkojnë një kompromis ndërmjet partive politike në mënyrë që, siç thonë ata, të mos thellohet edhe më tej kriza politike për krijimin e institucioneve të reja.

Analistët shprehen skeptikë që Kosova në javën e ardhshme do të mund të ketë institucionet e reja.

Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Fol”, tha se që nga data 3 gusht nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet e partive politike dhe koalicioneve për të konstituuar Kuvendin dhe votuar Qeverinë.

“Nuk ka një lëvizje e cila do të garanton një lloj sigurie që seanca e 24 gushtit do të jetë seance konstituive, që Kuvendi të konstituohet e Qeveria të vij në rend të ditës. Po e shoh me një dyshim shumë të madh, që në javën e ardhshme mund të kemi institucione, për shkak të një papërgjegjshmërie minimale që subjektet politike do të duhej ta kishin në cilindo variant”, tha Zogaj.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, të mërkurën pas një takimi konsultativ me shumicën e partive politike, caktoi datën 24 gusht për vazhdimin e seancës.

Deri më tash, asnjë nga partitë politike nuk ka refuzuar caktimin e kësaj date për vazhdimin e seancës, por kanë vazhduar duke akuzuar njëri-tjetrin për bllokim të institucioneve të vendit.

Analisti Ismail Hasani po ashtu thotë se sjelljet dhe kalkulimet e partive politike, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, karshi ndërtimit të institucioneve janë të papranueshme dhe sipas tij, data 24 gusht nuk do të sjell ndonjë rezultat.

“PAN-i nuk i ka numrat. Po t’i kishte do të ishte kryer ky proces. Në anën tjetër, kemi tash përplasje midis partive politike Vetëvendosje Lidhje Demokratike, Aleancës Kosova e Re, do të thotë nuk shihet asnjë mundësi që do të ketë pajtim që të fitohet shumica parlamentare për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit dhe nënkryetarët dhe për të shkuar në hapin tjetër në mandatimin e kryeministrit”, tha Hasani.

Analisti Zogaj konsiderojnë se një sfidë e madhe për seancën e radhës pritet të jetë çështja e votave, të cilat koalicioni fitues [PAN] nuk ka arritur të dëshmojë se i ka. Ai megjithatë thotë se në momentet e fundit mund të ketë ndryshime të qëndrimeve të deputetëve, por gjasat janë të vogla.

“Pritjet e mija janë minimale që ne ta kemi Kuvendin e Kosovës të konstituuar në javën e ardhshme, kjo për shkak të mungesës së marrëveshjeve dhe për shkak të klimës që këto subjekte e kanë krijuar, e kjo klimë është përçarëse. Por, mund të ndodh që në momente e fundit të ndërrohet mendja e një grupi të caktuar të deputetëve por me pak gjasa që një gjë e tillë të ndodh”, tha Zogaj.

Kuvendi edhe pse ka mbajtur më shume se katër vazhdime të seancës konstituive, nuk ka arritur të zgjedhë kryeparlamentarin dhe nënkryetarët.(Rel