Aplikacioni popullor në Android pjesë e një skeme të madhe mashtrimi

E publikuar: 18/04/2019 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Google tërhoqi një numër aplikacionesh shumë popullore Android nga dyqani i aplikacioneve pas një raporti të BuzzFeed News që zbuloi një skemë të madhe mashtrimi nga zhvilluesit e tyre.

Gjashtë prej këtyre aplikacioneve ishin krijuar nga DU Group, një zhvillues i cili u shkëput nga gjigandi Kinez Baidu një vit më parë.

Megjithatë Baidu ende zotëron 34% të kompanisë. Në mesin e aplikacioneve shumë popullore ishte edhe Selfie Camera që është shkarkuar mëse 50 milionë herë në Play Store. Firma e sigurisë Check Point gjeti se aplikacioni kishte një kod i cili bënte që automatikisht të klikoheshin reklamat pa dijeninë e përdoruesit.

Këta të fundit nuk kishin pse të përdornin fare aplikacionin, klikimet bëheshin edhe kur aplikacioni nuk ishte në punë që do të thotë se konsumonte baterinë dhe paketën e internetit.

Ky veprim hileqar aktivizohej me reklamat e Google AdMob dhe Twitter MoPub. Në Mars BuzzFeed gjithashtu raportoi një skemë masive mashtrimi me reklama që përdorte platformën e Twitter.

Përveçse klikonin reklamat pa dijeninë e përdoruesve, aplikacionet e Du Group përfshirë në këtë skemë si Omni Cleaner, RAM Master, Smart Cooler, Total Cleaner dhe AIO Flashlight, fshihnin lidhjen me kompaninë. Ato nuk tregonin nëse grumbullonin të dhëna apo i dërgonin në Kinë.

Zbulimi i BuzzFeed erdhi pas ekzaminimit të 5,000 aplikacioneve popullore në Play Store. Këtë praktikë nuk e aplikonin vetëm aplikacionet e DU Group por edhe të tjerë.

Mashtrimet me reklamat janë një skemë shumë popullore në Kinë dhe Google duhet të bëjë më shumë për ta parandaluar. /PCWorld Albanian