Apeli ende pa vendim për punëtorët e larguar nga KEDS-i

E publikuar: 19/08/2017 20:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për kthimin ose jo të mbi 90 punëtorëve të larguar nga puna në KEDS, vitin e kaluar, raporton KTV. Këta ish-punëtorë besojnë që edhe ky vendim do të merret në favor të tyre.

Punëtorët, të cilët KEDS-i i kishte larguar nga puna kohë më parë, ende janë e duke pritur vendimin e Gjykatës së Apelit për t’i kthyer në punë.

Ata besojnë edhe ky vendim, sikur edhe vendimet e tjera, do të jetë në favor të tyre.

Përfaqësuesi i këtyre punëtorëve i bën thirrje Gjykatës së Apelit të mos vonojë shumë në nxjerrjen e vendimit, pasi, sipas tij, ata po jetojnë në kushte shumë të rënda ekonomike.

Përderisa nuk e ka përfillur asnjë vendim të këtyre institucioneve ligjore, që e ka obliguar KEDS-in t’i kthejë në punë mbi 90 punëtorët, nga Sindikata e Pavarur ElektroKosova thonë se kjo kompani ka pranuar punëtorë të rinj.

KEDS-i në Gjykatën Themelore të Prishtinës kishte bërë dy kërkesa.

Kishte bërë padi për anulim dhe shpallje të pavlefshme të vendimit të nxjerrë nga Inspektorati i Punës, i cili më 2 dhjetor të vitit të kaluar, kishte kërkuar kthimin e punëtorëve në vendet e tyre të punës.

Ndërkaq, kërkesa e dytë e kësaj ndërmarrjeje ishte që të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi, derisa Gjykata të dalë me një vendim për këtë çështje.

KEDS-i e kishte cilësuar Inspektoratin e Punës si institucion jokompetent për të nxjerrë vendime të tilla.

Derisa, kohë më parë, KEDS-i kishte thënë që nuk komenton asnjë proces që është në Gjykatë dhe që, sipas tyre, nuk ka ndonjë vendim përfundimtar.

Ka gati 3 muaj që lënda ka shkuar në Gjykatën e Apelit, e që po pret ende një aktgjykim.