Anulohet fluturimi i nesërm Cyrih-Prishtinë

E publikuar: 14/06/2020 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” vazhdon të mbetet i mbyllur për shkak të zgjatjes së kufizimeve koronavirusi. Në këtë mënyrë, agjencitë e fluturimit kanë anuluar të gjitha biletat e parapara për fluturimet e planifikuara për nesër, 15 qershor.

Në këtë kontekst, edhe kompania AirPrishtina u është drejtuar klientëve të saj me njoftimin se është e detyruar të anulojë fluturimin e planifikuar për të hënën, 15 qershor në relacionin Cyrih – Prishtinë dhe anasjelltas. Ajo i lut personat që kishin rezervuar biletat për nesër, të paraqiten në qendrën e kontaktimit për të bërë rirezervimin ose ndryshimin e destinimit të biletave.

Njoftimi i plotë nga Aeroporti i Prishtinës:

Njoftohen të gjithë operatorët ajrorë, udhëtarët dhe palët tjera të interesuara se Autoriteti i Aviacionit Civil, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore, duke u siguruar se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen.

Pritet vlerësimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me situatën aktuale shëndetësore me COVID-19 dhe në momentin e një rekomandimi pozitiv nga ky Institut, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i propozojnë për vendimmarrje Qeverisë hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime të rregullta./GazetaExpress/