Anulimi i fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës ka prekur mbi 7.000 persona – tollovi nëpër pika kufitare

E publikuar: 14/03/2020 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbyllja e kufijve ka shkaktuar tollovi të mëdha në pikën kufitare në Han të Elezit, pasi procedurat për të hyrë kanë qenë të stërzgjatura.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se nga ora 06:00 ka mbyllur kufijtë tokësorë.

Ky vendim nuk vlen edhe për qytetarët e Kosovës, raporton KOHA.

“Mbyllen kufijtë tokësorë për udhëtarët që hyjnë në Kosovë. Të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’u nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vetizolohen për 14 ditë”, thuhet në njoftim.

Përderisa edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në tri ditët e fundit, mbi 7.000 persona kanë mbetur pa udhëtuar.

Sipas Valentina Garës, rreth 80% e fluturimeve janë anuluar, pas vendimit të Qeverisë mbrëmjen e së premtes për pezullimin e përkohshëm të të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake dhe emergjencave medicionale.

Përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për pezullimin e transportit ndërurban dhe atij të organizuar ndërkombëtar, në stacionin e autobusëve në Prishtinë, janë realizuar 17 linja ndërkombëtare.

E, drejtori i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti, ka thënë se as udhëtarët e as shoferët e autobusëve nuk kanë qenë të njoftuar me vendimin e Qeverisë, megjithatë për pjesën tjetër është duke u respektuar ky vendim.

Përkundër këtyre vendimeve, trafiku urban do të vazhdojë të punojë.