Anulimi i autostradës Prishtinë – Gjilan nga buxheti, Haziri: S’guxon të ndodhë kjo

E publikuar: 18/10/2017 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Versioni i përgatitur i rishikimit të Buxhetit nga ministri i ri i Financave Bedri Hamza mori dritën jeshile që t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit, derisa nga ky buxhet u largua autostrada Prishtinë – Gjilan, e cila ishte paraparë të fillonte këtë vit. Por, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri thotë për Expres se autostrada nuk guxon të largohet nga buxheti, përderisa nga Ministria e Infrastrukturës e akuzojnë qeverinë e kaluar për shkelje ligjore rreth procesit të kësaj autostrade.
Ministri i Financave Bedri Hamza ka sqaruar sot arsyet e shkurtimit të buxhetit nga 2 miliardë në 1.8 miliard, ndërsa ka konfirmuar se është hequr nga buxheti autostrada për Gjilan. Por, për këtë veprim të ministrisë së Financave ka reaguar ashpër kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Ky i fundit, në një deklaratë dhënë gazetës Express, këmbëngul se autostrada nuk guxon të largohet nga buxheti.

“Nuk ka asnjë mundësi ligjore dhe nuk guxon me u largu autostrada nga buxheti… mjetet janë marrë për mbulimin e shpenzimeve dhe pagave që është çështje e qeverisë dhe prioriteteve të saj”, ka sqaruar Haziri të mërkurën për Express.

Por, veprimin e Qeverisë që autostrada Prishtinë – Gjilan të largohet nga buxheti e arsyetojnë nga Ministria e Infrastrukturës. Nga ky dikaster thonë se rruga do të bëhet, por jo duke e shkelur ligjin, siç ka bërë, sipas tyre, Qeveria e kaluar.

“Ne nuk i dimë arsyet pse qeveria e kaluar pa elaborat të shpronësimit dhe pa projektin e ndikimit mjedisor e ka shpallur fituesin, pak ditë pa ra qeveria e kaluar. Për këtë arsye krejt procedura është në proces të auditimit”, deklaroi për Gazetën Express Fatos Mani, këshilltar i Ministrit Pal Lekaj.

Mani shtoi se vetëm pas këtij procesi do të merren veprimet konform zotimit të Kryeministrit dhe Ministrit Lekaj për ta bërë rrugën e Prishtinë – Gjilan.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 28 prillit të këtij viti, miratoi vendimin për krijimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit “Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”. Ndërtimi i kësaj autostrade ishte paraparë të niste në muajin gusht të po këtij viti.

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri pat thënë se kjo rrugë është me një rëndësi të madhe infrastrukturore për Kosovën.

“Ndërtimi i Autostradës së re Gjilan-Prishtinë është lajm i madh për tërë vendin jo për vetëm për Gjilanin. Nga këtu do të fillojë ndërtimi i aksit më të madh rrugor që lidh juglindjen e Kosovës me Europë.

Rruga më e re do t’iu mundësojë edhe disa fshatrave të lidhen direkt në rrugën e kombit. E kjo autostradë do të mundësojë që të kalohet edhe në korridore ndërkombëtare të autostradave”, kishte deklaruar Haziri.

Ndërtimi i kësaj autostrade do t’i kushtojë shtetit miliona euro./GazetaExpress/