Ankesat eventuale në Kushtetuese nuk e ndalin konstituimin e institucioneve

E publikuar: 08/11/2019 08:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit nuk do të marrë epilog as pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Kjo pasi Nisma Socialdemokrate dhe disa subjekte të komunitetit joshumicë kanë deponuar ankesa, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e më pas edhe në Gjykatën Supreme. Instanca e fundit mbetet Gjykata Kushtetuese.

Këtë ka paralajmëruar ta bëjë koalicioni Nisma-AKR për të kërkuar shpalljen e pavlefshme të votave të ardhura me postë nga Serbia, shkruan sot Koha Ditore. Por pavarësisht ankesave, mbështetur në Ligjin për Zgjedhje dhe sipas interpretimit të juristëve, mund të nisin procedurat për krijimin e institucioneve të reja.

PZAP-ja ka afat 72 orë për të vendosur mbi ankesat e subjekteve. Nëse ankesa refuzohet si e pabazuar, subjektet mund të ankohen në Gjykatën Supreme, pas së cilës nëse nuk vendoset ndryshe, KQZ-ja mund të procedojë me certifikim të rezultateve.

“KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit, si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-ja dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-së lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”, thotë neni 106.1 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se, nëse Kushtetuesja e miraton kërkesën, mund të kërkojë anulim të atyre votave. Kjo mandej do të implikonte ricertifikim, për t’ia kthyer ulëset Nismës.

“Bëhet anulimi i votave, konstatohet që Nisma kalon pragun dhe verifikohen zgjedhjet. Ama këtë e bën vetëm Gjykata Supreme, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hasani. Sipas tij, nëse Nisma-AKR kërkon masë të përkohshme, Kushtetuesja duhet të vendosë shpejt. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)