Analistët nuk e shohin zgjidhje Presidentin, i cili zgjedhet me borxhe politike

E publikuar: 08/12/2020 20:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike po presin nga njëra-tjetra që t’ia kthejnë borxhin politik, duke ia votuar kandidatin për president. Por njohësit e çështjeve politike, thonë se një president i zgjedhur nga borxhet, nuk mund të ketë dinjitet. Ata madje thonë se në këto rrethana, zgjedhjet janë opsioni i afërt.

Ambiciet për postin e presidentit i kanë treguar disa nga partitë politike në Kosovë. PDK për arritjen e këtij synimi thotë se pret që AAK t’ia kthej borxhin.

Analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se një president i zgjedhur nga këto lloj borxhesh politike, do të ishte një president pa dinjitet.
“Nëse Presidenti hyn në borxh ndaj liderëve politikë, pazareve politike apo marrëveshjeve politike atëherë tregohet se ai president nuk e meriton të jetë në atë pozitë dhe ai president do të jetë i nivelit të ulët të përfaqësimit dhe s’ka dinjitet kombëtarë e as shtetërorë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.

Analisti tjetër, Shkelzen Maliqi, thotë se duke u nisur nga qëndrimet e partive politike, më e mundshme është që vendi të shkojë në zgjedhje, se sa të gjendet një zgjidhje për presidentin.

“Me sa po vërehet nga deklaratat, është e vështirë të gjendet një kandidatë konsensual…Janë përmend kandidatë të ndryshëm që mund të kenë mbështetjen e më shumë se një partie por gjasat më shumë janë që të shkohet në zgjedhje”, deklaroi analisti Shkëlzen Maliqi.

Në një konferencë për media, kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë edhe një herë se nëse nuk arrihet një zgjidhje mes partive politike për postin e presidentit, zgjedhjet mbeten alternativa e vetme./RTV Dukagjini/