Analistët: Marrëveshja e Ohrit duhet të përditësohet

E publikuar: 13/08/2015 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot shënohet 14 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën ju dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001 dhe u vendos korniza për bashkëjetesë dhe perspektivë euroatlantike të Maqedonisë. Duke e pasur parasysh se lexuesve ju duhen mendimet dhe opinionet e analistëve politik, kemi marrë mendimin e analistit Xhelal Neziri dhe Alajdin Demiri.
Analisti Xhelal Neziri për mos zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit fajëson BDI-në. Ai për Telegrafin thotë ‘’marrëveshja e Ohrit nuk është e përsosur, por si frymë është rruga e vetme që garanton një Maqedoni të sigurtë dhe progresive. Kjo marrëveshje nuk duhet kuptuar si kujdestar konstant i të drejtave kombëtare të shqiptarëve, por si një terren korrekt për arritjen e tyre. Nëse ka nevojë për një marrëveshje të re do të duhet të vendosin votuesit në zgjedhje. Unë mendoj se Marrëveshja e Ohrit është një bazë e mirë për krijimin e një Maqedonie të barabartë për të gjithë. Natyrisht se duhet mbindërtuar, zgjeruar apo reviduar me qëllim që shoqëria në Maqedoni të ketë sistem më efikas të funksionimit të shtetit. Moszbatimi i saj i deritanishëm është rezultat i partizimit të qindpërqindtë nga ana e BDI-së, duke e keqpërdorë këtë dokument për interesa të ngushta dhe lukrative të funksionarëve të saj. Mendimi im është se problemi nuk është te Marrëveshja e Ohrit, por te lojtarët politik të shqiptarëve të Maqedonisë.’’ përfundon Xhelal Neziri.

Për Telegrafin ka folur edhe Alajdin Demiri, ish ambasador dhe analist politik. Demiri thotë se kjo marrëveshje deri tani është zbatuar vetëm tek pjesa e punësimeve në administratën publike gjë që u keqpërdor nga Bashkimi Demokratik për Integrim. ‘’Ndryshimet kushtetuese që duheshin të bëhen u bënë të cunguara dhe jo të plota për arsye se menjëherë pas luftës u paraqit ideja e fituesit dhe menjëherë pas Marrëveshjes së Ohrit duheshte të shpallet fituesi, mirëpo Bdi dhe Uçk nuk patën kapacitete që të shpallin veten fitues dhe këtu filloi të ndodhë segracioni i mos zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ai më tej shton ‘’një pjesë që filloi të zbatohet dhe u zbatua është participimi apo rritja e shqiptarëve në administratën publike gjë që e degradoi krejtësisht BDI-ja, për arsye se rritja e numrit në administratën publike u shndërrua në rritje të elektoratit apo zgjedhësve të BDI-së që në fakt e bënë armatën e të papunësuarve që të marrin rroga në një mënyrë dhe të krijojnë varësi nga BDI-ja nëpërmjet të cilëve duhet ti fitojnë zgjedhjet. E gjithë kjo të çon në atë se Marrëveshja e Ohrit aktualisht nuk u zbatua për arsye se nuk u respektuar afati dhe Maqedonasit ose VMRO-ja hoqi dorë para katër-pesë viteve duke thënë se kjo punë u krye dhe kjo marrëveshje u zbatua, ndërsa çuditërisht BDI-ja këtë marrëveshje e bëri një ikonë mashtrimi sidomos tek faktori ndërkombëtar të cilët i futën në kurthin se ja ne jemi duke bërë diçka. Sot kemi edhe funksionar nga Kosova, Shqipëria por edhe BE-ja të cilët kur vijnë ata flasin për marrveshjen e Ohrit, e në fakt kjo ‘marrëveshje është e vdekur’.’’

Përndryshe partitë e opozitës kanë kërkuar që marrëveshja të zbatohet ndërsa pozita mendon se marrëveshja është duke u zbatuar./Telegrafi/