Ambulancat specialistike në QKUK vazhdojnë të përballen me rrëmujë e kushte të vështira

E publikuar: 30/09/2017 21:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka katër vjet kur podrumet e Klinikës së Kirurgjisë u improvizuan, duke u kthyer në ambulanca specialistike, për shkak të rrënimit të objektit të vjetër.

Që atëherë, pacientët dhe stafi mjekësor përballen me kushte të vështira të punës për shkak të hapësirës, raporton KTV.

Në po këtë vend, përveç radhëve të gjata të pacientëve, të cilët me orë të tëra presin për të marrë tretmanin dhe konsultat mjekësore, kryhen edhe intervenime kirurgjike, gjë që sipas mjekëve rreziku i bartjes së infeksioneve është i pashmangshëm.

Në të njëjtën hapësirë ku kryhen kontrollet, mjekët dhe motrat konsumojnë edhe ushqim, pasi, siç thonë, nuk mund të mbajnë as pauzën për shkak të numrit të madh të pacientëve.

Ndërkaq, po aty ndërrohen edhe çarçafët dhe gjenden banjat , ku kundërmon erë e rëndë.

Shefi i financave në QKUK, Sherif Bytyqi, thotë se edhe nga Inspektorati Sanitar kanë marrë disa herë vërejtje.

Bytyqi thotë se objekti i ri, në të cilin do të vendosen ambulancat specialistike dhe një pjesë e administratës së kësaj qendre, ka mbetur në gjysmë .

Krejt kjo për shkak se këtij projekti kapital për QKUK-në po i mungojnë edhe 300 mijë euro për të përfunduar.

Ai shton se kanë kërkuar që mjetet e disa projekteve të tjera nga buxheti i QKUK-së të barten për këtë projekt, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.