Ambasadorja finlandeze: Kusht për viza, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit

E publikuar: 06/12/2017 23:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, në një intervistë dhënë Radio Televizionit të Kosovës tha se është tejet e rëndësishme që institucionet e shtetit të Kosovës janë zotuar për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Sipas saj, Kosova mund të ecë përpara në agjendën e saj evropiane në fuqizimin e shtetit ligjor.

“Ka qenë kënaqësi të takohem me ministri e ri të drejtësisë , i cili është i përkushtuar në fuqizimin e shtetit ligjor. Sundimi i shtetit ligjor nënkupton angazhim aktiv jo vetëm të vendimmarrësve, por edhe nga gjithë qytetarët. Inkurajojë Kosovën që të vazhdojë me reforma. Kosova ka legjislacion modern, por që duhet të zbatohet”, tha ajo në një intervistë dhënë RTK-së.

Duke folur rreth liberalizimit të vizave, ambasadorja finlandeze tha se Kosova dhe BE janë pajtuar rreth kushteve për liberalizimin e vizave.

“Tash është në duart e Kosovës që të kryejë pjesën e vet. Janë dy kushte:Ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe çështja e zgjidhjes së lëndëve në gjykata për të parandaluar korrupsionin. Kosova duhet t’i plotësojë këto kushte”, tha ajo.