Ambasadori Ukshini: Ushtria, shtylla e fundit e ndërtimit të shtetit të Kosovës

E publikuar: 29/12/2018 17:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini komentoi në televizionin “A2” zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe iniciativat e fundit të Prishtinës zyrtare për të konsoliduar strukturat e saj.

Sipas Ukshinit, “rritja e taksave për mallrat serbe ishte një vendim strategjik për të mbrojtur sovranitetin dhe pacenueshmërinë e republikës të Kosovës, ndërsa ushtria “shtylla e fundit e ndërtimit të shtetit”, duke e përcaktuar si një moment të jashtëzakonshëm që kompanitë shqiptare të shfrytëzojnë këtë moment.

Dialogu me Serbinë duket sikur është kthyer në pikën zero, por Ukshini e mohon këtë pikë.

“Çështja e pavarësisë është çështje e mbyllur, ne po negociojmë një moment të ri, për normalizimin e raporteve, që të jenë funksionale edhe jo barrierë për anëtarësimin në BE. Serbia ka dërguar letra gjithandej, por ky është keqpërdorim i dialogut, sepse nuk po diskutojmë më për status, por për marrëdhënie ndër fqinjësore”.

Pikërisht për letrat që Kryeministrja serbe Bërnabiq i ka dërguar disa shteteve që mos të njohin Kosovën, përfshirë edhe atë drejtuar Edi Ramës, ambasadori rrëfen se “për letrën ishim informuar para se të dilte në publik”.

“Kryeministri Rama kishte informuar ambasadorët e Ballkanit dhe BE-në. Sjellja e Serbisë tregon që, siç ka thënë dhe Rama, Serbia ka komunikim me shumë fytyra. Ndryshe me Kosovën, ndryshe me Shqipërinë, ndryshe me vendet e tjera. Nuk ka konsistence serioze, ka naivitet, agresion, ka edhe fushata për konsum të brendshëm, për të fituar vota”, përfundoi Ukshini.