Ambasadori Harry Kaiman: Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se qeveria e Kosovës duhet të pezullojë taksën, dhe që të dy palët duhet të rinisur negociatat

E publikuar: 05/03/2020 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Vjenë të Austrisë është mbledhur Këshilli i Përhershëm i OSBE’së, takim në të cilin po marrin pjesë të gjithë shefat e OSBE-së nga shtete të ndryshme përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Kosovën në këtë takim ka raportuar ambasadori, Jan Braathu, i cili drejton zyrën e OSBS-së në Prishtinë.

Lidhur me raportin e prezantuar nga Braathu, ka folur i ngarkuar me punë në misionin e OSBE-së nga SHBA’të, Harry Kaiman, i cili ka falënderuar Braathun për prezantimin e situatës në Kosovë, duke thënë se i ka ndihmuar të kuptojnë edhe më detajisht situatën në Kosovë dhe atë se çfarë misioni i OSBE-së po bën, raporton Gazeta Express.

Ambasadori amerikan në OSBE, Kaiman ka thënë se një stabilitet dhe paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor do të arrihet vetëm kur Kosova të jetë e integruar plotësisht si një partner i plotë.

Tutje ai ka folur edhe për zgjedhjet e 6 tetorit dhe qeverinë e re që drejtohet nga Albin Kurti, duke potencuar se Washingtoni mirëpret vendimet e fundit të qeverisë së re në luftën kundër korrupsionit.

Kaiman ka rikujtuar gjithashtu se normalizimi i raporteve me Serbinë është një prioritet për të cilin duhet angazhuar.

“Qeveria e kryeministrit Kurti tashmë ka një mundësi për të avancuar prioritetet e prezantuara, përfshirë normalizimin e raporteve me Serbinë, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rritjen ekonomike. SHBA’ja mirëpret hapat e fundit të qeverisë së re në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Kaiman në fjalën e tij.

Tutje, Kaiman ka thënë se Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e fokusuar për të avancimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka thënë se Matthew Palmer dhe Richard Grenell janë duke punuar për të zhbllokuar ngërçin e raporteve Kosovë-Serbi.

“Dy të dërguar të posaçëm amerikanë po punojnë që të thyejnë ngërçin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe të ardhmen’, ka shtuar tutje i ngarkuari me punë i SHBA’së në misionin e OSBE’së.

Kaiman tutje ka thënë se marrëveshjet e arritur s’fundi për lidhjet ajrore, rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit dëshmojnë se zgjidhjet praktike janë të mundshme duke treguar se qytetarët e të dy vendeve do të shohin përfitime të prekshme ekonomike nga normalizimi i raporteve.

Përfaqësuesi i SHBA’së në OSBE ka thënë se ky ka qenë edhe mesazhi që i është dhënë presidentit Hashim Thaçi  dhe kreut të shtetit serb, Aleksander Vucic, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky është mesazhi që Presidentët Thaçi dhe Vuçiç morën në Uashington javën e kaluar. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se qeveria e Kosovës duhet të pezullojë taksën, dhe që të dy palët duhet të rinisur negociatat, për të zhbllokuar potencialin e plotë të vendeve të tyre”, ka thënë ndër të tjera Harry Kaiman.

Heqjen e menjëhershme të taksë pa kushte shtesë e kërkon me ngulm Përfaqësuesi Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka ndërmejtësuar takimin Thaçi-Vuçiq në Washington bashkë Robert O’Brien.