Ambasadori britanik u kishte treguar deputetëve se çka e pret Kosovën nëse e zhbëjnë Gjykatën Speciale

E publikuar: 18/01/2018 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila duke folur për natën kur u provua zhbërja e Gjykatës Speciale përmendi paralajmërimin që bëri ambasadori anglez, Ruari O’Connell.

“Më e rënda ka qenë kur ambasadori anglez ka përmend edhe tërheqjen e trupave të KFOR-it në rast të tërheqjes së Kosovës nga obligimet ndërkombëtare, në takim me GP të LDK-së, po ashtu edhe pasoja tjera juridike si krijimi i një tribunali tjetër të sponsorizuar nga Rusia në Këshillin e Sigurimit dhe mosdëshirën e ndërhyrjes së vendeve mike për ta parandaluar atë iniciativë”, ka thënë ajo.

Kusari Lila flet edhe për të gjitha prapaskenat e natës së seancës për zhbërjen e Speciales.

-Orët e vona dhe frika se diçka shumë e keqe është gati t’i ndodhë Kosovës e bën Mimoza Kusari Lilën të tërheqë një paralele mes ngjarjeve të marsit 2004 me ato të natës kur në Kuvend u thirr seanca për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Në Rubikon të KTV-së, ajo shpjegoi se si i kishte parë lëvizjet e deputetëve, sidomos atyre të AAK-së, pak para se kryeparlamentari, Kadri Veseli t’u kumtojë lajmin deputetëve se po atë natë do të thirret seanca.

“Atë natë e kemi kuptu që udhëhiqemi nga njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm… Unë e kam kuptuar nga Iliri që një përpjekje e tillë është serioze dhe vetëm prezenca në sallë e ambasadorit amerikan na bëri të kuptojmë se me të vërtet ajo iniciativë planifikohej të shtyhej atë mbrëmje”, ka thënë ajo.

“Më kujtohet ministri Lekaj ishte tërë kohën në lëvizje”, shtoi tutje Kusari-Lila.

Sipas saj, sa herë që ndodh një proces i rrezikshëm për shtetin e Kosovës ndërlidhen ngjarje dhe protagonistë të njëjtë.

“Disa edhe tash që janë shfaq që janë të dënuar, rasti i Shpëtim Mehmetit për ngjarjet që lidhen me atë kohë, në moment të caktuara kur bëhen kthesa, rasti veriut dhe Ivanoviqit. Mundet dikush të bëj skenare për Kosovën, po pse kosovarët duhet gjithmonë të jenë dhe të sillen e të aktrojnë siç e kërkon dikush për të keqen e Kosovës në një skript që shkruhet diku tjetër”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila theksoi se pamundësia që natën e 22 dhjetorit të shkojë ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i atribuohen Lëvizjes Vetëvendosje.