Ambasadorët e Amerikës me kërkesa konkrete për Prishtinën dhe për Beogradin

E publikuar: 08/02/2019 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Beograd dhe në Prishtinë, Kyle Scott dhe Phillip S. Kosnett, i kanë bërë thirrje palës kosovare që ta pezullojë taksën ndaj produkteve serbe, ndërsa Serbisë që të sillet në mënyrë më konstruktive, në mënyrë që të marrin fund provokimet nga të dyja anët; Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm.

Kështu kanë shkruar ambasadorët Scott dhe Kosnett në një editorial ekskluziv, të botuar në numrin e sotëm të gazetës “Zëri”.

“Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon”, thuhet mes tjerash në editorialin ekskluziv të të dy ambasadorëve amerikanë për “Zërin”.

Dy diplomatët amerikanë kanë marrë shembull, siç kanë thënë ata, guximin dhe kreativitetin e udhëheqësve në Athinë dhe në Shkup për ta zgjidhur mospajtimin, i cili zgjati me dekada dhe i cili do të duhej t’i frymëzonte të gjithë në rajon. “Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë, jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë e Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë. Kjo e arritur do të vinte themelin për një të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon”./ZËRI