Ambasadorët: Dhuna është e papranueshme

E publikuar: 12/02/2016 15:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot zhvilloi takime me ambasadoren e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ambasadoren e Frances, Maryse Daviet dhe ambasadorin e Italisë, Andreas Ferrarese.

Në këto takime u bisedua për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e deritanishme në Kuvendin e Kosovës dhe vazhdimin e punës në sesionin pranveror parlamentar.

Ambasadorët shprehen shqetësimet e qeverive të tyre përkatëse për këto zhvillime duke theksuar se pamjet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës janë të papranueshme dhe të dhimbshme, me efekte të dëmshme, jo vetëm për funksionimin demokratik të institucioneve, por edhe për proceset integruese të Kosovës, në radhë të parë, procesin e liberalizimit të vizave.

Nga ana e tij, kryetari Veseli duke vlerësuar qasjen aktive të ambasadorëve në raport me situatën e krijuar theksoi se si kryetar i Kuvendit të Kosovës të gjithë fokusin e ka në përpjekjet që të krijohet një hapësirë për komunikim dhe dialog politik mes palëve, në funksion të tejkalimit të gjendjes së krijuar.

Në takime u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës.

Ambasadorët theksuan nevojën që ky proces të jetë në përputhje me kriteret dhe afatet ligjore, ndërsa kryetari Veseli nga ana e tij premtoi se ky proces do të zhvillohet duke respektuar në përpikëri të plotë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, procedurat ligjore dhe transparencën demokratike. /Telegrafi/