Ambasada kosovare në Gjermani jep detaje për ata që udhëtojnë drejt Kosovës

E publikuar: 13/12/2020 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Kosovës në Gjermani përmes një statusi në Facebook ka njoftuar mbi masat e reja që ka ndërmarrë sot qeveria gjermane në luftën kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Për të gjithë të interesuarit që duan të udhëtojnë në Kosovë: kufijtë nuk janë mbyllur, por për këtë duhet respektuar masat e parapara nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë për testimet dhe karantinimet”, thuhet në njoftim.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Në mbledhjen e së dielës me datë 13.12.2020 nën drejtimin e kancelares së Qeverisë së Gjermanisë, Angela Merkel bashkë me drejtuesit e 16 landeve gjermane për parandalimin e pandemisë COVID 19 janë marrë këto vendime:

Nga data 16 Dhjetor 2020 (e mërkure) e deri më 10 janar (2021) Gjermania do të mbyllet sërish.

Do të mbylljen dyqanet e tregtisë me pakicë, me përjashtim të dyqaneve për nevojat e përditshme. Restorantet mbeten të mbyllura dhe do të kenë të drejtë sikurse dhe tash të ofrojnë ushqime për marrje me vete për t’u konsumuar në shtëpi. Po ashtu nuk do të lejohet konsumimi i alkoolit apo mbledhjet në vende publike. Gjithashtu mbyllen edhe floktoret, studiot e kozmetikës, tatuazhit etj. Të hapura do të mbeten vetëm dyqanet për gjësende ushqimore e higjienike dhe dyqanet për shitje me shumicë.

Shkollat, kopshtet, dhe institucionet e kujdesit ditor do të mbyllen pokështu. Përjashtim do të ketë, sikurse në verë, vetëm për fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi të kujdesen vetë për ta, sepse janë në punë ku nevojitet prania fizike. Mësimi shkollor për këtë periudhë, ose do të ndërpritet, ose do të kalohet në distancë. Këtë e vendos secili land më vete.

Kontaktet duhet të reduktohen në maksimum.

Lejohen vetëm tubime me pesë vete, me anëtarë nga maksimumi dy familje, mundësisht gjithmonë të njëjtat. Përjashtim do të ketë nga data 24 deri në 26 dhjetor. Përveç familjes mund të ftohen edhe katër të afërm të gradës së parë, plus fëmijë deri në 14 vjeç.

Për të gjithë të interesuarit që duan të udhëtojnë në Kosovë: kufijtë nuk janë mbyllur, por për këtë duhet respektuar masat e parapara nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë për testimet dhe karantinimet.