Ambasada e Zvicrës reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit i cili tha se masakra e Reçakut është e trilluar

E publikuar: 09/12/2019 17:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ditë më parë ka thënë se masakra në Reçak ishte e trilluar.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar sot edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (HLC Kosova).
Në reagimin e Ambasadës së Zvicrës dhe HLC Kosova, thuhet se është fundamentale që shoqëritë pas konfliktit të pajtohen me të kaluarën.
“Një pjesë e rëndësishme e saj është njohja e viktimave dhe dënimi i krimeve të kryera”, thuhet në reagim,transmeton Telegrafi.

Në reagimin e saj, ambasada e Zvicrës ka përkrahur reagimet ndaj deklaratave të Vuçiqit duke shtuar se në Reçak ishin kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica civilë të paarmatosur.

“Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë përkrahin reagimet e fuqishme dhe të qarta kundër deklaratës së bërë nga presidenti Vuçiq që mohoi krimet në Reçak. Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak janë kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur”, thuhet në reagimin e ambasadës zvicerane.