Ambasada amerikane ka një kërkesë për Qeverinë e re

E publikuar: 18/01/2021 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Amabasada amerikane kërkon nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që të miratojë dokumentet dhe të zbatojë rekomandimet, e shpalosura në strategjinë e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial kanë finalizuar strategjinë e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë.
Për këtë erdhi edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë.

Në reagim thuhet se kjo është e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Sot Ministria e Drejtësisë shpalosi strategjinë dhe planin e veprimit për Rishikimin Funksional, një moment historik i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën nga ambasada.

Megjithëkëtë theksohet se ky nuk është fundi i këtij procesi për çka nga ambasada thonë se do të nxisin qeverinë e re që të miratojë dokumentet përfundimtare dhe të zbatojnë të gjitha rekomandimet.

“Përmes katër qeverive dhe katër ministrave, Ambasada ka qenë krenare që ka mbështetur këtë ndërmarrje masive. Sidoqoftë, ky nuk është fundi i këtij procesi”.

“Ne i kërkojmë qeverisë së re, sapo të formohet, të miratojë dokumentet përfundimtare dhe institucioneve përkatëse të Kosovës të pranojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha rekomandimet. Ky nuk është një proces politik, por proces i drejtuar nga institucionet e Kosovës. Reforma në drejtësi do të përfitojë të gjithë njerëzit në Kosovë”, u tha në reagim.