Almir Daci i vrarë në Siri, në Shqipëri gjykohet ende për terrorizëm

E publikuar: 27/04/2016 18:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për vdekjen e Almir Dacit, ish-imamit të xhamisë së Leshnicës në Pogradec, ende nuk ka një konfirmim zyrtar, përveç deklaratës në media të familjarëve të tij.
Ata janë njoftuar nga bashkëshortja e Dacit, e cila ishte larguar në Siri së bashku me të. Por pavarësisht kësaj, Gjykata për Krimet e Rënda nuk ka mbyllur gjykimin, dhe këtë të mërkurë zhvilloi seancën e dytë ndaj Almir Dacit i akuzuar për terrorizëm.

Gjykata do të presë konfirmimin zyrtar të vdekjes në mënyrë që të mbyllë gjykimin.

Almir Daci i njohur ndryshe si Ebu Belkisa, kërcënoi Ballkanin me sulme të mundshme pasi u shfaq në një nga të shumtat video të ISIS.

Kjo është seanca e parë që mbahet pas njoftimit për vdekjen e tij, dhe e dyta në total. Seanca e parë ndaj tij u zhvillua në mungesë të Dacit, ndërsa procesi u shty pasi nuk u paraqitën dëshmitarët e thirrur nga trupi gjykues.

Për Gjykatën e Krimeve të Rënda, Almir Daci, konsiderohet si një nga drejtuesit më të pushtetshëm të celulave të luftëtarëve xhihadistë në Siri.

Ndaj Almir Dacit, i cili ka marrë në Siri dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, janë ngritur akuzat e pjesëmarrjes luftarake në një shtet të huaj, rekrutim të personave për kryerje të veprave terroriste dhe propagandë për kryerje veprash terroriste. /Gazeta Express/