Allegri: Nuk pres perforcime te tjera

E publikuar: 10/01/2017 17:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Juventusi pret Atalantën në Torino për Kupën e Italisë në fazën e 1/8-ave, me tifozët bardhezi që presin tjera dhurata nga drejtuesit sa i përket merkatos, por nuk ka pritshmëri në këtë aspekt trajneri Masimiliano Allegri, i cili theksoi se ka ndërmend të afrojë dy lojtarëve të akademisë.

“Nuk pres asgjë nga merkato dhe nuk kam kërkuar gjë. Juventusi duhet të marrë lojtarë që mund të na përmirësojnë teknikisht. Kur ka qenë mundësia, shoqëria gjithmonë ka ndërhyrë në merkato. Preferoj të marr në skuadrën e parë dy lojtarë të rinj.”

Trajneri toskan shpjegoi më tej se situata me Evranë nuk ka ndryshuar, lojtari ka marrë kohën e nevoshme për të vendosur se cfarë do të bëjë, të qëndrojë apo të largohet. Duke iu kthyer ndeshjes me Atalantën, Allegri theksoi se do të zbresë në fushë formacioni më i mirë.

“Nuk do të ketë rotacion, përvec ndonjë rasti, sepse në mbrojtje nuk kemi shumë alternativa. Chiellini është i skualifikuar, ndërsa për Bonuccin të shohim nëse do të bëhet gati të paktën për ta nisur nga stoli. Në mesfushë dikush mund të pushojë, ndërsa Dybala ka nevojë të luajë në vazhdimësi. Pjaca mund të luajë një pjesë lojë. Nuk duhet ta shohim takimin me Atalantën si një finale, por nëse nuk futemi në fushë me mentalitetin e duhur, mund të eliminohemi.”

Për vendimin e FIFA-s që Botërori i Vitit 2026 të zhvillohet me 48 skuadra, Allegri u shpreh:

“Si trajner ekipi do të thosha janë shumë, ndërsa po të isha në krye të një përfaqësueseje për mua do të ishte “ok”. Futbolli po globalizohet, ka dalë në skenë Kina e Rusia, që po kërkojnë të gjejnë formulat për të rritur të ardhurat. Futbolli është kthyer në biznes e ne duhet të përshtatemi.”