Alex Song flet për vitin e tij të tmerrshëm të kaluar në Rubin Kazan: Nuk kisha banesë, jetoja në fushën e stërvitjes – gjithë jeta ime ishin kompjuteri dhe telefoni

E publikuar: 14/11/2018 16:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Alex Song thërriste në shtëpi dhe i tregonte gruas së tij Olivias dhe miqve se jeta në Rubin Kazan ishte e mirë, se gjithçka në klub po shkonte mirë dhe se ishte i lumtur.

Ajo që ata nuk e dinin ishte se Song po u fliste atyre nga një dhomë e errët në fushën ku bënte stërvitje, pa shtëpi, pa të ardhura dhe pa shpresë për të luajtur sërish futbolli.

Miqtë e tij të vetëm ishin llaptopët dhe telefoni i tij celular.

“Nuk mund t’u tregoja njerëzve se nuk ishte mirë, më duhej të thosha se gjithçka ishte në rregull, sepse nuk doja që ata të shqetësoheshin”.

“Duhet të isha pozitiv dhe të mos i bëja njerëzit e tjerë të ndihen keq, veçanërisht gruaja ime dhe dy djemtë në Londër”.

Alex Song te Rubin Kazan . (Photo by Epsilon/Getty Images)

Song, i cili kaloi gjashtë vjet me Arsenalin dhe luajti në West Ham si huazim, ku pastaj u transferua në Rusi më vitin 2016, kur i skadoi kontrata e tij me Barcelonën.

Rubin Kazan e kishte joshur atë me pretendime se në klub gjithçka po shkon mirë dhe po vjen një trajner njohur si Javi Gracia, me një grup të lojtarëve të rinj që përfshinte edhe Yann M’Vilan.

Por premtimet shpejt filluan të zbehen. Kjo pasi shtëpia ku i kishin premtuar Songut se do të  qëndronte, nuk erdhi kurrë, ndërsa ai përfundimisht shkoi të jetojë në një dhomë hotel, e pastaj në një dhomë në fushën ku bëheshin stërvitjet.

Qendra stërvitore e Kazan

Aty jetonin ai edhe francezi M’Vila, në pjesën më të mirë të vitit.

“Kur nënshkruam së pari, më thanë se do të më jepnin një shtëpi”, tregon Song.

“Por shkoi një muaj, dy muaj, gjashtë muaj dhe nuk kisha një shtëpi. Pastaj më çuan nga hoteli në një dhomë në fushën e stërvitjes dhe më duhej të jetoja aty dhe kjo ndodhi tre muaj pasi shkova në Kazan”.

Song sa ishte te Rubin Kazan në vitin 2016. (Photo by Epsilon/Getty Images)

“Ata më thoshin se duhej të prisja që shtëpia të mbaronte, por një ditë fola me një grua që kishte për qëllim projektimin e shtëpive dhe më tha se askush nga klubi nuk e kishte kontaktuar”.

“Fusha e trajnimit ishte në rregull, por nuk është si kur jeton në shtëpi. Ishte edhe më keq se në hotel”.

“Dhoma ime në fushën e treningut ishte e mirë edhe pajisjet ishin të mira, por nuk është mirë për një futbollist. Nuk mund të relaksohesh. Të gjithë ose kishin një shtëpi ose u larguan nga klubi”.

“E kaloja kohën i ulur në dhomën time dhe kurrë nuk i ndezja dritat. Ulesha i vetëm në kompjuterin tim, pa TV, sepse nuk kuptoja asgjë nga televizionet ruse. E gjithë jeta ime ishte vetëm kompjuter dhe telefon, dhe kjo nuk ishte e shëndetshme”.

“ Për të qenë i sinqertë, nuk e di pse nuk i kam ndezur dritat. Ato punonin, por unë mendoj se ndjehesha i përulët dhe i vetëm për atë qëndroja ashtu”.

“Kazani është një vend i këndshëm. Ka restorante të mira dhe njerëz të mirë, por, për të qenë i sinqertë, kurrë nuk dilja për shkak se nuk kisha miq. Rrija ulur i vetëm në dhomën time”.

“Shkova në restorant ndoshta dy ose tri herë gjatë gjithë kohës që isha atje. Kam ngrënë të gjitha që mi ofronin te fusha e stërvitjes dhe ushqimi ishte i mirë, por ishte i vetmuar. Unë isha afër të çmendesha në atë kohë”.

Song e imagjinon se gjendja e tij mund të ishte keqësuar dhe kjo ndodhi kur Gracia u largua nga Rubini.

Klubi vendosi që të ul shpenzimet nën drejtimin e trajnerit të ri Kurban Berdyev. Në gusht të vitit të kaluar, Song e kuptoi se ai nuk paguhej më dhe u largua nga skuadra.

“Në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar unë isha jashtë skuadrës kështu që u pezullova për ndeshjen e parë të sezonit të ri”.

“Në ndeshjen e dytë luanim ndaj Zenitit dhe humbëm ndeshjen, por unë luajta shumë mirë. Në ndeshjen tjetër unë shënova. Por pas asaj ndeshje isha në stol dhe nuk mund ta kuptoja pse. Unë nuk luajta më asnjë ndeshje nga fillimi i shtatorit deri në dhjetor”.

“Mendoj se ishin drejtorët që vendosën që unë të mos luaja, sepse donin që lojtarët që paguheshin mirë të largoheshin”, ka thënë Song, transmeton Telegrafi.

Song sa ishte te Arsenali . (Photo by Victor Fraile/Getty Images)

Lojtari e pranon që kishte filluar të shqetësohej për të hollat (pagat).

Ai tregon se e kishte telefonuar bankën e tij disa herë për të pyetur, pasi që shtëpinë e tij në Londër duhet ta paguante, sikurse ta bënte edhe financimin e  projektin për strehim ‘Nokay17’, të quajtur sipas bijve të tij Nolan dhe Kaylian, që e kishte filluar në Kamerun, vendlindjen e tij.

“Klubi vazhdoi të më thoshte se paratë do të vinin në llogarinë time bankare, por kurrë nuk e bën”, vazhdon rrëfimin.

“Natyrisht, kjo e bëri jetën të vështirë. Kisha hipoteka dhe gjëra të tjera, pasi duhet të paguaja edhe faturat”.

Alex Song te Barcelona . (Photo by Dean Mouhtaropoulos/Getty Images)

“Kam pasur një hipotekë në Londër dhe banka po më bënte thirrje për të më pyetur ku ishin paratë e mia dhe kjo është shumë stresuese – është pjesa më e keqe”.

“Asnjëherë nuk kam pasur nevojë të shqetësohem për të holla në karrierën time, por papritmas më telefononin bankat dhe më bënin presion”.

“Isha duke punuar në një projekt të madh ndërtimi në vendin tim dhe pa para ishte shumë e vështirë”, tregon kamerunasi vështirësitë e tij, transmeton Telegrafi.

Projekti i strehimit në Kamerun i ndërtuar nga Song

Song përfundimisht la Rubinin në dhjetor të vitit të kaluar, pasi nuk mund të kthehet të jetonte në atë vend.

Por parat që ia kishin borxh deri në gusht të këtij viti, ai i mori, në vlerë 7.9 milionë funte, duke i kërcënuar me veprim në FIFA.

Tani Song po fokusohet në fazën e fundit të karrierës së tij, ku luan në Sion të Zvicrës dhe është ribashkuar me familjen e tij. Ai ndjehet shumë i lumtur tani.

“Unë nuk dua të largohem, kam dashur të qëndroj në Evropë dhe të luaj edhe për katër apo pesë vjet”.

Song te Sion në Zvicër

“Kam nënshkruar me Sionin për dy vjet dhe gjithçka ka shkuar mirë deri tani. Unë jam në një shtëpi me familjen time”.

“Në thelb kam humbur një vit të karrierës time në Kazan. Tani po filloj të luaj dhe jam i lumtur përsëri”, përfundoi rrëfimi i Song. /Telegrafi/