Albin Kurti po sillet si babai i kombit shqiptar

E publikuar: 21/11/2019 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Opinionisti, Mustafa Nano, ka thënë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kandidati për Kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti janë personalitete që nuk kanë pika të përbashkëta me njëri-tjetrin.

“Thellë-thellë, ata kanë antipati për njëri-tjetrin dhe kjo do të dalë në pah, do të ekspozohet në publik”, ka thënë Nano, njofton Klan Kosova.

Opinionisti nga Shqipëria në intervistën e dhënë për Zona B, ka theksuar se Rama tash për tash është personazhi më i fortë në gjithë botën shqiptare.

“Nuk e dimë kur do të ketë periudhë post-Rama. Më shqetëson një gjë. Një ndryshim i madh ka ndodhur në Kosovë, ka ardhur në pushtet Albin Kurti që ka manifestuar një qasje jo prej shtetari por luftëtari. Ajo që s’më pëlqen mua qysh tani, është se po sillet sikur jo ka fituar zgjedhjet në Kosovë por midis shqiptarëve”.

“Ai [Kurti] po sillet si babai i kombit shqiptar, jo si Kryeministër i Kosovës, por si kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe kjo mua nuk më pëlqen. Ai është votuar nga qytetarët e Kosovës, duhet të japë prova se do ta vë Kosovën në binarë dhe pastaj duhet ta hartojë strategjinë e shtrirjes së tij në botën shqiptare”.

Nano ka deklaruar se Kurti nuk është i pari që tenton të sillet si i tillë.

“Shqiptarët kur vinë në pushtet sidomos një sojë i caktuar që kanë respekt për veten ku edhe Kurti, [Sali] Berisha, Rama bëjnë pjesë në këtë soj. Qysh në fillim fare e kanë projektuar veten e tyre në histori. Por me këtë mendje do të dështojë”.

“Më duhet ta shoh si Kryeministër të Kosovës. Pa u bërë Kryeministër i Kosovës po sillet si kryeministër i të gjithëve dhe kjo mua më bezdis. Kemi 15 pika që janë përpjekje e VV-së për t’u shfaqur si protagoniste absolute në botën shqiptare. VV ka marrë mision të rëndësishëm – të qeverisë Kosovën. Kurti duket se barrën e ka futur në gjep. Nuk është e lehtë. Pasi ta bëjë këtë mund të tentojë bashkimin kombëtar dhe pastaj për ta bërë protagonistin në Tiranë.