Albin Kurti për integrimin: Dera drejt BE-së e ka numrin 35

E publikuar: 03/06/2017 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, ka premtuar nga Ferizaji drejtësi për qytetarët, prodhimin për ekonominë dhe barazi për shoqërinë.

Në fjalën e tij ai tha se qytetarët e Ferizajt janë një popullsi trime dhe patriotike, e ndershme dhe punëtore, dhe se meritojnë shumë më mirë dhe kanë të drejtë shumë më tepër. Ai po ashtu tha se sot kemi sindikata pa punëtorë, dhe aq shumë punëtorë pa sindikata.

“I kemi dëgjuar këta në pushtet të thonë se hajnat duhet të shkojnë te shpia. Me logjikën e tyre hajnat shkojnë te shpia. Kjo nuk është logjikë shtetformuese. Hajnat nuk shkojnë te shpia, hajnat shkojnë në burg”, tha Albin Kurti teksa ka folur për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe nevojën për një sistem të pavarur të drejtësisë.

“Mundësia dhe shpresa e këtij vendi jeni të gjithë ju qytetarë të pakënaqur dhe kurrsesi ata pushtetarë të vetkënaqur.
Me 11 qershor, njerëzit mund të bëhen qytetarë duke votuar ndryshimin me VETËVENDOSJE!-n”, shtoi Kurti.

Ai tha se të tjerët Bashkimin Evropian e përdorin si njëfarë vendi ku pasi të integrohemi do të dalin nga varfëria, por theksoi se e vërteta është se pa u përmirësuar kushtet nuk do të anëtarësohemi.

“Dera drejt BE-së e ka numrin 35”, tha ai, duke shtuar se vetëm me VETËVENDOSJE!-n Kosova do të integrohet në BE.

Tutje ai premtoi se qeverisja e VETËVENDOSJE!-s do të vendosë rend dhe moral në isntitucionet e Republikës. E po ashtu tha se nuk do të marrim asnjë masë ndaj atyre që kanë votuar parti të tjera.