Albin Kurti: Kongresi Lushnjës, mësim që mund të nxjerrim nga historia jonë

E publikuar: 21/01/2020 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka përkujtuar Kongresin e Lushnjës në 100-vjetorin e mbajtjes, ka përshkuar rrugën se si ka ardhur deri të mbajtja e këtij Kongresi, e që sipas tij nga historia e shqiptarëve mund të mësojmë shumë.

Kurti në shkrimin e tij përmend Luftën e Parë Botërore dhe dy luftërat ballkanike, në kohën e të cilave thotë se shqiptarët nuk e gjetën unitetin e brendshëm, dhe shpresat për shpëtim gjithmonë i kishin tek fuqitë e mëdha.

“Nëse lufta vjen te ti e ti nuk je pjesëmarrës, atëherë shndërrohesh në fushëbetejën e tjetërkujt. Kjo u ndodhi shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore dhe në dy luftërat ballkanike që i paraprinë asaj. Shqiptarët nuk e gjetën unitetin e brendshëm, dhe shpresat për shpëtim i varën gjithnjë te fuqitë e mëdha, prandaj gjatë këtyre luftërave u gjendën të copëtuar, të përçarë e në anarki”, shkruan Kurti.

Në përkujtimin për Kongresin e Lushnjës, Kurti shkruan për formimin e qeverisë në krye me Sulejman Delvinën që erdhi si pasojë e unitetit të shqiptarëve.

“Më 21 janar 1920, pra 100 vite më parë, patriotët shqiptarë pas shumë përgatitjesh, u mblodhën në Lushnjë, në Kongresin e Lushnjës. Aty vendosën të mos ndalen në përpjekjen e tyre politike e ushtarake për drejtësi e liri për shqiptarët. Gjatë Konferencës së Paqes në Paris ata kishin marrë mbështetje nga presidenti amerikan Woodroë Wilson, e kur kishin falënderuar ambasadorin amerikan në Paris dhe i kishin thënë se gjithë shpresën e kishin te Amerika, ai u ishte përgjigjur: “shpresën duhet ta keni te vetja juaj”. Këtë mesazh patriotët shqiptarë e kuptuan mirë, prandaj thirrën Kongresin e Lushnjës ku zgjodhën një qeveri të re e të pavarur, me në krye Sulejman Delvinën”, shkruan Kurti.

Duke renditur kështu ngjarjet historike të asaj kohe, Kurti në fund shkruan se ka shumë mësime që mund të nxjerrim nga historia jonë.

“Prej aty dërguan një mesazh përfaqësuesve të huaj, me katër pjesë: Kërkesa që popullit shqiptar t’i jepej e drejta të rronte në harmoni me fqinjët e tij, pra t’i njihej pavarësia aty ku jetonte. Kërkesa që Italia të hiqte dorë nga ambiciet territoriale dhe të mbështeste pavarësinë e Shqipërisë. Mirënjohje për mbështetjen nga presidenti amerikan Wilson, i cili kishte proklamuar parimet e tij për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Një thirrje botës mbarë për drejtësi për Shqipërinë. Pas Kongresit pasoi lufta e Vlorës, në po atë vit, ku shqiptarë nga të gjitha anët, edhe pse pa ushtri e pa armatim modern, fituan dhe e çliruan vendin nga një pushtues shumë më i fortë. Mësimet që mund të nxjerrim nga historia jonë janë shumë. E përkujtojmë me nderim Kongresin e Lushnjës, dhe ua urojmë Shqipërisë e shqiptarëve 100 vjetorin e parlamentarizmit”, përfundon Kurti.