Albin Kurti dikur i ofronte kashtë, tash i shtron dreka Veton Surroit

E publikuar: 02/09/2015 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë bisedimeve për zgjidhjen e statusit final, e kur Veton Surroi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit, Albin Kurti kishte bërë një aksion simbolik; duke i çuar në Kohën Ditore dhe Partinë Ora disa tuba me kashtë. Kurti dhe Vetëvendosje gjykonte në atë kohë se anëtarët e Ekipit, përfshirë Surroin, po e shesin Kosovën.

Por tash Kurti duket se nuk e konsideron Surroin një lopë. Tash, po e trajton atë seriozisht, e madje po i shtron edhe drekë.

Ish-Kryetari i Partisë Reformiste Ora dhe themeluesi i Kompanisë Koha (Koha Ditore, Kohavision, KohaNet…) është afruar fort kohët e fundit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin; saqë ka nxitur spekulime se publicisti mund të anëtarësohet në këtë parti.

Gazeta Express ka siguruar një foto të Veton Surroit dhe Albin Kurtit teksa bisedojnë në një restorant të kryeqytetit. Takimi ka ndodhur këto ditë, në Tavernën Dardha.

Në fakt, shumë prej njerëzve të Surroit tashmë janë pjesë e Vetëvendosjes, po ashtu edhe afërsia e mediave të tij me partinë e Kurtit është goxha evidente, kurse tash mbetet të shihet nëse edhe ai vetë do ta zyrtarizojë hyrjen në këtë parti.