Akuzohet për trafik droge e plagosje, arrestohet pas dy muajsh kërkimi

E publikuar: 24/03/2017 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një 31-vjeçar shqiptar i akuzuar më parë për trafik droge është arrestuar të martën nga karabinierët në Milano pasi kërkohej prej dy muajsh për plagosjen në fytyrë më armë zjarri të një shqiptari tjetër 21 vjeç.

Ai jetonte në Bovisio Masciago, Brianza dhe sipas hetimeve me sa duket po kërkonte të zgjeronte fushën e aktivitetit të tij.

Ngjarja ndodhi më 10 janar. Viktima 21 vjeç u plagos me armë zjarri dhe plumbi i hyri në fytyrë duke kaluar njërën faqe dhe duke i thyer disa dhëmbë.

Ai u transportua menjëherë në spitalin Niguarda dhe iu nënshtrua operacionit për rindërtimin e nofullës dhe të gjuhës, ku për fat nuk humbi jetën, shkruan Lapsi.al.

Hetimet e karabinierëve kishin dalë në përfundimin që atëherë kur ndodhi ngjarja se sherri nuk kishte ndodhur në rrugë, pasi policia nuk gjeti gëzhoja ose shenja të tjera që të tregonin se kishte pasur të shtëna armësh.

Vrasja e mbetur në tentativë kishte ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes bashkëkombësve.

Nga hetimet, dëshmitë, fotografitë, analizimet e telefonatave dhe deklaratat e viktimës (edhe ai me precedentë penalë), rezultoi se 31-vjeçari nuk kishte vepruar i vetëm por sipas policisë, bashkëpunëtori nuk rezulton më në territorin italian, ndërsa është shpallur në kërkim nga karabinierët.